Funksionimi i Gjykates Administrative dhe pasojat e para ne praktike

Filed under: Opinione |

120222-hurdles-wLigji për organizimin dhe funksionimin e gjykatës administrative hyri në fuqi në maj të vitit 2012, me klauzolën që do fillonte zbatimin pasi të ishte ngritur struktura me anë të një dekreti të Predsidentit të Republikës. Më datë 4 nëntor 2013, me anë të dekretit filloi zbatimin ky ligj dhe punën Gjykata Administrative. Gjatë periudhës të lënë pezull nga moment i hyrjes në fuqi deri në momentin kur Gjykata Administrative filloi punën, çështjet administrative gjykoheshin nga seksioni administrative ne gjykaten civile. Puna e Gjykatës Administrative menjëherë pasi kishte filluar funksionimin u ndesh me disa problem, të cilat çuan Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë të dilnin me 2 Vendime Unifikuese, për të unifikuar këto probleme.

1.      Cila nga gjykatat do ishte kompetente për të gjykuar çështjet administrative, të cilat ishin në proces gjykimi në gjykatën civile në momentin kur filloi funksionimin gjykata administrative?

Ligji për organizimin dhe funksionimin e gjykatës administrative ndryshe nga ligjet e tjera nuk kishte parashikuar dispozitat kalimtare të cilat të rregullonin çështjet në gjykim. Për të zgjidhur këtë vakum ligjor, Gjykata e Lartë u shpreh se[1]:

Gjykatat administrative të shkallës së parë, Gjykata e Apelit Administrativ dhe Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, të krijuara me ligjin nr.49, datë 03.05.2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, janë kompetente për shqyrtimin e të gjitha çështjeve, të cilat sipas nenit 7 të këtij ligji përbëjnë mosmarrëveshje administrative, pavarësisht gjendjes, fazës apo shkallës së gjykimit. Këto gjykata janë kompetente për çështjet administrative për të cilat, padia, ankimi ose rekursi është depozituar përpara datës 04.11.2013, respektivisht në gjykatat e shkallës së parë, të apelit apo në Gjykatë të Lartë dhe deri në këtë datë, shqyrtimi në këto gjykata nuk ka përfunduar akoma.

Me anë të këtij vendimi Gjykata e Lartë zgjidhinjë vakum ligjor, por çështja që ngrihet është a ka kompetncë Gjykata e Lartë për të krijuar ligj dhe a është kushtetues ky vendim?

Për zgjidhjen e kushtetutshmërisë së vendimit, çështja është dërguar në Gjykatën Kushtetuese, e cila akoma nuk ka dalë me një vendim.

Vendimi gjithashtu solli reagime në rradhët e juristëve, pasi kishte çështje të cilat ishin në fazën ku ishte mbyllur shqyrtimi gjyqësor dhe pritej shpallja e vendimit dhe në bazë të këtij vendimi, gjykata është e detyruar të nxjerrë çështjen për inkompetencë. Si pasojë çështja do fillojë gjykimin nga e para.

Po në rastet kur gjykata ka marrë vendimin, por ka lënë një datë për ta shpallur atë, a mund të gjykojë kompetencën kur vendimi tashmë është marr?

Edhe në këtë rast në bazë të Vendimit Unifikues gjykata ka deklaruar inkompetencën, duke e dërguar çështjen për gjykim në gjykatën administrative.

Pavarsisht se në dukje Vendimi Unifikues ka zgjidhur një problem, mendoj që pasojat në praktikë janë shumë të rënda, pasi është cënuar parimi i sigurisë juridike, parimi i vazhdimësisë së gjykimit, ku një çështje duhet të niset dhe të përfundohet nga e njëjta gjykatë dhe nga i njëjti trup gjykues, parimi i ekonomizimit të gjykatës, parimi i zgjidhjes së çështjes brenda një afati të arsyeshëm etj. Gjithashtu në zbatim të këtij vendimi, gjykatat kanë nxjerr çështjet jashtë kompetence, duke i vënë gjykatës administrative një ngarkesë të madhe, pasojat e të cilës vihen re në shkeljen e afateve brenda të cilave duhet të përfundojë një gjykim administrativ.

Një tjetër problem që është hasur ka të bëjë me shtrirjen e kompetencave të Gjykatës Administrative. Në nenin 7 dhe në nenin 17 të Ligjit që rregullon organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Administrative janë parashikuar rastet të cilat do të gjykohen nga kjo gjykatë.

Problemi që është hasur në praktikë ka të bëjë me rastet kur një çështje administrative është ndërrthur me një çështje civile.

2.      Cila nga gjykatat do të jetë kompetente për ta gjykuar çështjen Gjykata Civile apo ajo Administrative?

Për zgjidhjen e kësaj çështjeje Gjykata e Lartë ka dalë me një Vendim Unifikues duke u shprehur se[2]:

  • Kur në objektin e gjykimit ka disa kërkime si të natyrës civile dhe administrative dhe këto kërkime konstatohen nga gjykata se janë një bashkim i thjeshtë i tyre, atëherë referuar nenit 61 dhe 159 të K.Pr.Civile dhe 13 dhe 23 të Ligjit 49/2012, gjykata duhet të veçojë objektet që nuk janë në kompetencën e saj lëndore duke ja kaluar ato gjykatës kompetente.
  • Kur në objektin e gjykimit ka disa kërkime si të natyrës civile dhe administrative dhe këto kërkime konstatohet nga gjykata se janë një bashkim i ndërvarur mes tyre, atëherë referuar nenit 55 të K.Pr.Civile dhe nenit 24 të Ligjit 49/2012 dhe zbatimit të parimit “lex specialis derogat generali”, gjykata kompetente është si më poshtë:
    • kur në objektin e gjykimit pala paditëse, ndër të tjera, ka për objekt kundërshtimin e një akti administrativ dhe nga pasojat e aktit prodhohen pasoja civile, në çdo rast kompetente është gjykata administrative.
    • kur një ndër objektet e gjykimit është një kërkim me natyrë civile, por që është i lidhur ngushtë me aktin administrativ dhe pasojat e këtij akti kanë ardhur nga vullneti shtetëror, atëherë përsëri gjykatë kompetente është gjykata administrative.
    • kur objektet e tjera të padisë jo të natyrës së mosmarrëveshjes administrative janë të ndërvarur nga pasojat e aktit administrativ edhe në këtë rast kjo të çon tek kompetenca e gjykatës administrative.

Gjykata e Lartë ka arritur në këtë përfundim duke u bazuar në parimin “lex specialis derogat generali”, si dhe sipas gjykates ligji për organizimin e gjykatës administrative nuk është thjesht një ligj material, por dhe një ligj procedurial.

3.      Po në rastet kur padia ka natyrë civile dhe kundërpadia ka natyrë administrative, cila do jetë gjykata që do shqyrtojë çështjen?

Sipas vendimit të mësipërm do ndajmë dy moment, kur padia dhe kundërpadia mund të ndahen (fakt që bie në kundërshtim me aspektet proceduriale, pasi kundërpadia ngrihet kur ka lidhje me objektin e padisë ose kur ka mundësi kompensimi) në këtë rast gjykata civile do jetë kompetente për gjykimin e padisë dhe gjykata administrative për gjykimin e kundërpadisë. Ndërsa në rastet kur dy paditë nuk mund të ndahen gjykata kompetente do jetë gjykata administrative.

Nuk jam dakort në këtë pjesë me vendimin e Gjykatës së Lartë, pasi në nenin 55 të Kodit të Procedurës Civile rregullohet në mënyrë të posaçme kjo pjese:

Gjykata që gjykon padinë kryesore është kompetente për të shqyrtuar edhe kërkesat dytësore, kundërpadinë ose ndërhyrjen kryesore. Në këtë rast gjykata merr vendim për bashkimin e tyre në një çështje të vetme”

Duke u bazuar dhe në argumentimet e Gjykatës së Lartë që ligji për funksionimin e gjykatës administrative, nuk është thjesht nje ligj material por edhe procedurial, në këtë rast nuk mund të zbatohet parimi “lex specialis derogat generali”, pasi ky ligj nuk parashikon asnjë dispozitë për të rregulluar këtë situatë. Nëse do të pranonim të kundërtën do të ishim përball një konflikti normash në mënyrë “in abstractio” ku nga njëra anë do kishim një normë proceduriale e cila e ka rregulluar në mënyrë të qartë një situatë dhe nga ana tjetër një interpretim jurispudencial bazuar në parime të përgjithshme.

Gjithashtu me anë të këtij vednimi janë vënë në diskutim institutet civile, ku qënia palë e një organi administrativ pasjell që kjo çështje me natyrë të “pastër” civile do të gjykohet nga gjykata administrative.

Një pyetje që ngrihet ka të bëjë në rastin kur palë të paditur për një objekt me natyrë civile janë si institucionet publike ashtu dhe persona fizik apo juridik?

Gjykatat bazuar në Vendimin Unifikues nr.4 kanë nxjerre çështjet për inkompetencë. Këto vendime janë ankimuar në Gjykatën e Lartë, e cila nuk është shprehur akoma.

Vendimet Unifikuese në dukje i kanë dhënë zgjidhje një sërë problemeve që u ngritën menjëherë pasi Gjykata Administrative filloi funksionimin, por në praktikë mendojë që kjo do të krijojë probleme, pasi vetë qëllimi i ngritjes së Gjykatës Administrative ishte një zgjidhje e shpejtë e çështjeve dhe brenda disa seancave. Një risi që solli ligji ishte kalimi i barrës së provës autoritetit publik. Por me kalimin e të gjitha çështjeve që nga natyra mund të jenë civile por përmbajnë elemente të natyrës administrative apo kur objekti i padisë është i ndërvarur nga pasojat e një akti administrativ do të duhet që procesi në dukje të marrë natyrën e një procesi civil, ku barra e provës do jetë e ndarë midis paditësit dhe të paditurit. Kjo përbën një problem më vete pasi është konstatuar një mungesë vullneti e autoriteteve publike për të marrë pjesë në proces.

Ndryshe nga perceptimi që me fillimin e funksionimit të Gjykatës Administrative proceset do zgjidheshin brenda një afati të shkurtër, në fakt është konstatuar që proceset po zgjasin, kjo si pasojë edhe të mbingarkesës së gjykatës.

 

A.Kurti

 



[1] Vendimi Unifikues i Gjykatës së Lartë nr.3, datë 06.12.2013

[2] Vendimi Unifikues i Gjykatës së Lartë nr.4, datë 10.12.2014

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *