Historia e trishtë e Kristinës dhe thirrja e saj ndaj reformës për drejtësi

Filed under: Lajme te reja |

fut monedhenTashmë kanë kaluar 8 vjet nga tragjedia e Gërdecit. Kristina K. është personazh i një prej historive më të trishta të kësaj tragjedie. Ajo ishte vetëm 4 muajshe kur nëna e saj Resmija, 19 vjec, humbi jetën nga shpërthimi.

Babai i saj tepër i ri në moshë nuk pati mundësi të përballonte rritjen e një fëmije 4 muajsh dhe ia la atë gjyshërve, Kujtimit dhe Tushes, e cila mori edhe kujdestarinë e përkohshme të vajzës së mitur, ndonëse jetonte në kushte të rënda. Tushja ishte pa punë, ndërsa Kujtimi, gjyshi i fëmijës, kishte një punë modeste prej nga siguronte një minimum të ardhurash për mbajtur frymën gjallë dy të moshuarit dhe foshnja Kristinë.

Nuk zgjati shumë dhe në fund të vitit 2009 Kujtimi mbeti pa punë. I dëshpëruar për jetën e tij, e cila ngjante me një rrugëtim në një tunel pa dritë në fund, ai humbi cdo shpresë për të shijuar atë që shpresonte vetëm disa vite më parë, kur vajza e tij u martua dhe priste një fëmijë. Tragjedisë së humbjes së vajzës, mbetjes jetime të foshnjes së saj, i shtohej edhe varfëria  e madhe dhe pa asnjë zgjidhje për të pasur minimumin e dinjitetit njerëzor. Mbi të gjitha shtohej mbi supet e ciftit Osmani edhe indiferenca e shtetit, i cili i kishte dhënë vetëm 200 mijë lekë të vjetra për të paguar gurin e varrit për të bijën që iu këput filli i jetës që në rini.

Kujtimi nuk e mbajti dot barrën e ferrit ku jetonte dhe i dha fund jetës në nëntor 2009. Tushja mbeti e vetme me foshnjen Kristina për të jetuar orë pas ore ferrin që mposhti Kujtimin. Në vetëm pak kohë ajo u përball me dy humbje të mëdha, vajzën dhe bashkëshortin. Banorët e Gërdecit thoshin shpesh se Tushja kishte rënë shpirtërisht e moralisht, ndërsa punonte shumë për të mbajtur mbesën e vogël. Ajo ankohej te të afërmit se nuk e mbante dot mbesën me bukë. Shteti i lidhi një pension 50 mijë lekësh të vjetra vajzës së lënë jetime, por që me këto para nuk ka shqiptar që mos e dijë se sa therëse është nënqeshja e varfërisë së këtij pensioni tallës që të duket se nuk mjafton të blesh dot as ajrin që thith.

E vrarë nga makutëria e zyrtarëve të shtetit që i groposën vajzën, e lodhur nga indiferenca e shtetit megjithë kërkesat  e përsëritura për ndihmë të bashkëshortit të saj para se ai të preferonte më shumë helmin se sa të duronte heshtjen e zyrtarëve të modelit “pallë ariu”, e lënë tërësisht në mëshirë të fatit të keq, në një gjendje të mjerueshme ekonomike, e përkulur nga mosha e papërshtatshme për të bërë sërish nënën e një foshnjeje, e lënë në errësirë edhe nga CEZ, Tushja u fut në të njëjtin tunel pa dritë si bashkëshori i saj Kujtimi. Ajo nuk kishte një strehë të vetën dhe nuk kishte para për të paguar qiranë. Kur humbi vajzën ajo humbi edhe punën që kishte në Bashkinë e Vorës.

Tushja helmoi veten njëlloj si i shoqi, në dhjetor 2012.

Kristina mbeti edhe më jetime se më parë. Vëllai i Tushes e mori vajzën në shtëpinë e tij. Pak më pas ai kërkoi nga gjykata që të caktohej kujdestar i saj. Ai është një burrë i qetë, flet pak por rrezaton dashuri ndaj vajzës që tashmë është 8 vjec. Gëzohet që ajo shkon mirë në shkollë, pavarësisht se mundohet të fshehë pamundësinë e tij për të bërë më shumë. Ai ka një rrogë minimale prej më pak se 20.000 lekësh në muaj. Me kaq mban veten, familjen e tij dhe Kristinën.

Kohët e fundit takoi avokatët e qendrës Res Publica që po ndjekin cështjen e dëmshpërblimeve të familjeve të viktimave të Gërdecit. Kërkesa e tij ishte e thjeshtë, që Kristina të marrë një dëmshpërblim që të lehtësojë jetën e saj në të ardhmen, që ajo të mund të jetojë me më shumë dinjitet.

Në gjyqin që Kristina kërkon shpërblimin e dëmit për humbjen e nënës që nuk e njohu dot, vajza e vogël 8 vjeçe po përballet edhe një herë me shtetin dhe rregullat e tij idiote dhe pa shpirt. Ajo nuk ka para për të paguar taksën gjyqësore dhe as ekspertët, që kushtojnë më shumë se 2 milion lekë. Jo vetëm Kristina, por edhe daja i nënës së saj nuk i disponon këto para. Gjykatës iu vu në dispozicion një barrë me dokumenta që tregonin se ata nuk disponojnë pasuri të paluajtshme, as nuk ushtrojnë ndonjë biznes, as nuk kanë ndonjë automjet apo bicikletë për të shitur, as nuk kanë ndonjë të ardhur tjetër, as nuk kanë ndonjë punë të dytë. Megjithatë, këto dokumenta nuk e bindën dot gjykatën që ta anashkalonte ligjin. Të gjithë e dimë se sa shumë i do shteti taksat dhe se sa nuk të fal asnjë qindarkë, sidomos kur njerëzit janë të varfër.  Më kot është lodhur Gjykata e Strasburgut gjithë këto vite për të thënë se të varfërit duhen përjashtuar nga taksat dhe shpenzimet e tjera gjyqësore. Më kot foli edhe Gjykata Kushtetutese e cila përsëriti të njëjtën gjë si Strasburgu. Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë, nuk e pa të arsyeshme të përjashtonte nga taksa Kristinën. Ajo duhet të paguajë një herw dhe pastaj të kërkojë drejtësinë.

Avokatët sigurojnë se paratë për taksat dhe ekspertët do t’i sigurojnë në mënyra të tjera dhe cështjen e Kristinës do e cojnë përpara gjithsesi. Por kjo histori është një goditje therëse në këmbanën e lodhur të alarmit që bie prej shumë vitesh në vesh të shurdhër. Res Publica e ka përsëritur me dhjetëra herë që të varfërit duhen përjashtuar nga taksat gjyqësore. Së fundi, edhe misioni i Euralius u bashkua me këtë ide, meqënëse kohët e fundit po këndohet refreni “ditë të lumtura po kemi kismet / reforma për drejtësi po sjell tërmet…”

Thirrrja e Kristinës për reforën në drejtësi sot është që kjo reformë duhet ta zgjidhë në rradhë të parë dhe një herë e mirë këtë problem. Komisioni i reformës dhe xhaketat e Kuvendit duhet të pastrojnë një herë e mirë veshët nga dylli partiak dhe të mos preferojnë vetëm muzikën e ambasadorëve kur flasin nga tryezat e shtruara bukur për të bërë dekorin e klimaksit para kamerave, por edhe kur në veshë u mbërrin tingulli ulëritës i ambasadorëve të varfërisë.

Res Publica

One Response to Historia e trishtë e Kristinës dhe thirrja e saj ndaj reformës për drejtësi

  1. Historia do behej me e trishte nese do e braktisnin edhe avokatet, keshtu qe mos hiqni dore por vazhdojeni ceshtjen deri ne fund.

    Dritan
    28/03/2016 at 04:56
    Reply

Leave a Reply to Dritan Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *