KUR ZELLI MEDIATIK NUK MJAFTON PËR TË BËRË TRANSPARENCË

Filed under: Lajme te reja,Veprimtari |

Fact-Or-Fake-How-To-Fact-Check-Online-ArticlesMinistri i Mjedisit u bën thirrje publike organizatave mjedisore që të kërkojnë transparencë, por nga ana tjetër i lë ato në terr

 

Kohët e fundit është dëgjuar Ministri i Mjedisit t’i bëjë thirrje shoqatave dhe qytetarëve për të qenë aktivë dhe kritikë me veprimtarinë e Ministrisë së vet. Në pamje të parë të krijohet ideja që shoqatat nuk janë aktive dhe se Ministri e sheh si problem këtë ndërkohë që ka nevojë për oponencë dhe kjo nuk po ndodh. Por kur pyesim shoqatat dhe ekspertët e mjedisit, ata ankohen për mungesë të transparencës së veprimtarisë me ndikim në mjedis, që duhet thënë është shtuar shumë kohët e fundit. Ministri ka akses në media, por shoqatat nuk kanë dhe shija që mbetet në publik është që Ministri po lutet ndërsa shoqatat përtojnë t’i përgjigjen kësaj lutjeje.

Mirëpo, si qendron e vërteta? Shoqatat ankohen se ka një mungesë të theksuar të transparencës, mungesë të dëgjesave publike, të cilat edhe kur bëhen janë formaliste dhe mbeten në nivelin e spektaklit. Natyrisht, shoqatat dhe ekspertët, nëse nuk kanë informacion mbi projektet me impakt në mjedis, nuk kanë se çfarë të debatojnë në tryezat e projekteve.

Duke e konsideruar të një rëndësie parësore informimin dhe konsultimin në çështjet mjedisore dhe për të mos mbetur në perceptime dhe raportime indirekte, Res Publica kreu një hulumtim me fokus, transparencën e institucioneve publike më kryesore, përgjegjëse për mbrojtjen e mjedisit, konkretisht të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit dhe Ministrisë së Mjedisit.

Fillimisht u konsultuam me faqet e internetit të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit dhe Ministrisë së Mjedisit, nga ku rezultoi se asnjë nga këto institucione nuk informonin publikun mes faqeve të tyre online për çështje mjedisore, gjë të cilën e kanë detyrim ligjor, sidomos për Deklaratat Mjedisore, Vlerësimet e Ndikimit në Mjedis dhe Vlerësimet Strategjike Mjedisore, etj.

Në këtë situatë, iu drejtuam me një kërkesë Agjencisë së Mbrojtjes së Mjedisit për t’i kujtuar asaj detyrimin për bërjen publike të këtyre informacioneve. Njëkohësisht të njëjtin shqetësim e ndamë përmes një shkrese me deputetët që janë anëtarë të Komisionit të Veprimtarive Prodhuese, Tregtisë dhe Mjedisit, pranë Kuvendit të Shqipërisë.

Autoritetet më sipër nuk i kthyen asnjë përgjigje shqetësimit të shprehur.

Në vijim iu drejtuam edhe Ministrit të Mjedisit, të cilit përveç shqetësimit për këtë situatë, i kërkuam të përdorte autoritetin për të siguruar publikimin e informacioneve. Në këtë rast Ministri ka detyrën që përveçse si organ politik, të trajtonte çështjen edhe si organ administrativ, i ngarkuar posaçërisht nga VKM, për të trajtuar ankimimet lidhur me mungesën e informimit si nga ana e Agjencisë së Mjedisit dhe Ministrisë së Mjedisit.

Përballë këtij shqetësimi dhe kërkese konkrete, reagimi i Ministrit të Mjedisit ishte befasues. Në vend që të detyronte Agjencisë Kombëtare të Mjedisit të publikonte informacionet sipas ligjit, Ministri thjesht i kujtoi kësaj agjencie detyrimet ligjore që ajo ka për publikimin e informacionit, a thua se zbatimi i ligjit është fakultativ dhe nëse ndodh të harrohet, Ministri është aty për t’i kujtuar nëpunësve të vet që të kujtohen.

Mungesa e informacionit, sjell si pasojë pamundësi për të kryer dëgjesat me publikun, e kjo i vë shoqatat në pamundësi për të kërkuar zgjidhje ligjore dhe gjyqësore për akte dhe veprimet shtetërore të kundra ligjshme, që pasojnë me dëmtim të mjedisit. Në mungesë të gjyqeve nga shoqatat, aktet dhe veprimtaria shtetërore fitojnë “imunitet”. E kështu mund të renditen pasojat negative që nisin me mos informimin, dhe përfundojnë me shfrytëzimin e mjedisit në komoditet të plotë për përfitime private.

Ndaj mbetet që thirrjes së Ministrit të Mjedisit për aktivizëm për çështje mjedisore t’i përgjigjemi me një thirrje serioze për transparencë. Zelli për të treguar vullnet, duhet zëvendësuar me vullnet për të treguar zell.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *