Si shpëtuan 9 gjyqtarë nga procedimi disiplinor në KLD gjatë vitit 2015

Filed under: Lajme te reja |

shatteredgavelNë një nga mbledhjet e Këshillit të Lartë të Drejtësisë në muajin shkurt të vitit 2015, Ministri i Drejtësisë u pyet nga Presidenti i Republikës në lidhje me depozitimin e disa praktive të shkeljeve disiplinore nga disa gjyqtarë. Sipas Presidentit të Republikës rezultonte se kishte kaluar afati 1 vjeçar i shqyrtimit të shkeljeve disiplinore për gjyqtarët Sh.P., A.C., I.P., E.M., A.Y. dhe B.M, duke kërkuar informacion nga Ministri i Drejtësisë për këtë problem. Ministri u shpreh se për njërin rast nuk kishte marrë të gjitha materialet dhe kishte bërë një kallzim penal në Prokurorinë e Rrethit Tiranë, ndërsa për rastet e tjera kërkoi kohë për të dhënë shpjegime (shih procesverbalin e mbledhjes së KLD dt. 04.02.2015). Në mbledhjet e tjera në vazhdim nuk u dhanë shpjegime nga Ministri.

Për ta kuptuar më mirë situatën, ligji përcakton se procedimet disiplinore ndaj gjyqtarëve i nis ekskluzivisht vetëm Ministri i Drejtësisë dhe ky i fundit duhet të dërgojë dosjen në KLD brenda 1 viti nga momenti i konstatimit të shkeljes. Pas këtij afati, nëse nuk veprohet nga Ministri, dosja mbyllet dhe gjyqtari nuk procedohet.

Në një takim në Maj 2015, kur po diskutohej raporti i qendrës Res Publica mbi veprimtarinë e KLD, një përfaqësuese e Ministrisë së Drejtësisë shpjegoi se për disa nga këto raste është konstatuar që dokumentat kanë humbur në ministri dhe për këtë arsye Ministri i Drejtësisë ka bërë kallzim penal.

Në vijim të monitorimit të KLD-së nga qendra Res Publica, me mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, u sigurua informacion në rrugë zyrtare nga Ministria e Drejtësisë që Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë kishte vendosur pushimin e çështjes (shih dokumentin) me këtë arsyetimin se në analizë të provave të administruara çmohet se fakti nuk parashikohet nga ligji si vepër penale. Nga ana e inspektorëve të Ministrit të Drejtësisë rezulton të jenë kryer të gjitha veprimet për çështjet që i janë ngarkuar për ndjekje, përfshirë njoftimin e gjyqtarëve dhe përpilimin e Memove drejtuar Ministrit të Drejtësisë. Sipas Prokurorisë, neni 34 i ligjit 9877 përcakton se të drejtën për nisjen e procedimit disiplinor ndaj gjyqtarit në Këshillin e Lartë të Drejtësisë e ka Ministri i Drejtësisë. Ky përcaktim lë në diskrecion të plotë të Ministrit të Drejtësisë nisjen ose jo të procedimit disiplinor ndaj gjyqtarit në KLD. Në këto rrethana kjo kompetencë e Ministrit të Drejtësisë, e shprehur në mos nisjen e një procedimi disiplinor ndaj një gjyqtari, nuk pasjell në asnjë rast përgjegjësi penale.

Pra, pas hetimit u konstatua se dokumentat nuk kishin humbur dhe se inspektorët e akuzuar i kishin dorëzuar materialet në adresën e duhur, te Ministri i Drejtësisë. Ishte pikërisht Ministri që nuk kishte vepruar për të dërguar në KLD 6 gjyqtarët e kapur me shkelje.

Gjatë vitit 2015 konstatohet se Ministri i Drejtësisë ka vendosur mosfillimin e procedimit disiplinor edhe për 2 gjyqtarë të tjerë, sic raporton Inspektoriati i KLD-së (shih dokumentin), ndërsa në një rast, për gjyqtaren P.A., Ministri e ka dërguar çështjen me 1 vit e 8 muaj më vonë (përtej afatit ligjor), duke bërë që KLD të rrëzojë kërkesën për shkak të kalimit të afateve (shih vendimin nr. 22/2015 të KLD).

Shqetësues është fakti që disa gjyqtarë, megjithëse konstatohet që kanë kryer shkelje të ndryshme, nuk procedohen për shkak të mosveprimit të Ministrit të Drejtësisë. Por, më shqetësues është fakti që Prokuroria nuk nis dot hetime ndaj Ministrit, sepse ligji e ka përcaktuar këtë kompetencë si të drejtë të ministrit dhe jo si detyrë të tij, duke mos e konsideruar problemin në fjalë si një mospërmbushje të rregullt të detyrës.

Për këto arsye, një prej sfidave më të mëdha që duhet të zgjidhë Reforma për Drejtësi është edhe ngarkimi me përgjegjësi ligjore për organin që do të ketë kompetencën për të nisur procedimet ndaj gjyqtarëve në KLD.

Res Publica

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *