Strasburgu kërkon informacion nga qeveria shqiptare për 21 janarin. Ja pyetjet.

Vrasjet-e-21-janaritGjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut ka nisur komunikimin me Qeverinë Shqiptare për çështjen e familjarëve të Ziver Veizit, i mbetur i vrarë më 21 Janar 2011 përpara godinës së Kryeministrisë. Në një letër të datës 23 Mars 2016, e publikuar sot në faqen online të Gjykatës Evropiane, ajo ka kërkuar disa informacione për çështjen Veizi dhe Deda kundër Shqipërisë (kliko këtu për të shkarkuar dokumentin), e ndjekur nga Res Publica me mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë.

Në letrën e saj Gjykata Evropiane pyet qeverinë për sa më poshtë:

 

  1. A i kanë ezauruar aplikantët rrugët e brendshme, sic kërkohet nga Neni 35 § 1 i Konventës?
  2. A ka pasur shkelje të të drejtave të aplikantëve, të neneve 2 dhe 13 të Konventës? Në veçanti, a zhvilluan autoritetet një hetim efektiv për vdekjen e të afërmit të aplikantëve siç kërkohet nga Neni 2 i Konventës? A iu dha mundësia aplikantëve të përfshiheshin në hetim?
  3. A ka pasur shkelje të të drejtave të aplikantëve për aksesin në gjykatë lidhur me vendimin e Gjykatës së Rrethit Tiranë të datës 6 Qershor 2012, kur u refuzua të shqyrtohej padia civile e tyre brenda procesit penal për shkak se ata nuk mund të paguanin tarifën e plotë gjyqësore?

Gjykata Evropiane ka ftuar qeverinë shqiptare që të japë informacion për ecurinë e procesit penal dhe të dorëzojë në këtë gjykatë një kopje të fashikullit të hetimit.

Ky është vetëm komunikimi i parë i Gjykatës Evropiane për këtë çështje, por në javët e ardhshme do të nisë debati mes argumentave që do të japë qeveria dhe atyre që do të japë Res Publica.

Aplikantët u ankuan se atyre nuk iu dha mundësia të merrnin pjesë në hetimin dhe gjykimin penal, siç tashmë Gjykata Evropiane e ka bërë të qartë këtë standard të detyrueshëm për çdo shtet palë. Aplikantët u ankuan gjithashtu se gjykata shqiptare nuk dëgjoi pretendimet e tyre civile për shkak se ata nuk mund të paguanin tarifën e lartë gjyqësore, e cila në kohën e paraqitjes së kërkesë padisë u caktua në vlerën 500.000 lekë të reja, tërësisht në mospërputhje me mundësitë e tyre ekonomike.

Res Publica

 

1 thought on “Strasburgu kërkon informacion nga qeveria shqiptare për 21 janarin. Ja pyetjet.”

  1. Zaçe Islami

    Lidhur me pikën e dytë , fjalia e fundit ata të gjykatës evropiane duhet të dëgjojnë atë që kam denoncuar unë në disa televizione:
    Si Avokat , përfaqësues i familjes së të ndjerit Ymer Hajdari , kam kërkuar të njihem me dosjen dhe përgjigja e prokurorit të çështjes ishte kjo:
    Nuk të jap asnjë dokument për arsy se është sekret hetimor.
    Tani unë pyes si prokurorinë shqiptare , parlamentin shqiptar dhe gjykatën e Evropës Plakë:
    Kush do t’i japë përgjigje fjalisë së fundit të numurit 2 ????????????

Leave a Reply to Zaçe Islami Cancel Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Scroll to Top