Qeveria “rregullon” informimin publik, pa përfillur Komisionerin që ligji i ka varur në qafë “celësat” e të drejtës së informimit

Filed under: Lajme te reja |

“Nuk kemi asnjë korespondencë në lidhje më Vendimin e Këshillit të Ministrave për krijimin, organizimin dhe funksionimin e Agjencisë për Mediat dhe Informimin”

Komisioneri për të Drejtën e Informimit nuk është përfillur nga zyra e Kryeministrit Rama për vendimmarrjen në krijimin e Agjencisë për Mediat dhe Informacionin, e etiketuar në media si “Ministria e Propagandës”.

Më 18 Shtator, në mbledhjen parë të Qeverisë Rama 3, zyra e Kryeministrit njoftoi se kishte vendosur krijimin e Agjencisë për Media dhe Informimin, një strukturë kjo që synon centralizimin e zyrave të shtypit dhe të marrëdhënieve me publikun të të gjitha institucioneve të qeverisë qendrore, por duke përfshirë edhe informacionin që këto institucione prodhojnë.

Vendimi i publikuar në faqen e Këshillit të Ministrave nuk shoqërohet me një relacion shpjegues për të kuptuar se cilat institucione kanë dhënë mendim, por Komisioneri për të Drejtën e Informimit i tha qendrës ResPublica se ka qenë jashtë vendimmarrjes së qeverisë.

“Nuk kemi asnjë korespondencë në lidhje më Vendimin e Këshillit të Ministrave për krijimin, organizimin dhe funksionimin e Agjencisë për Mediat dhe Informimin”- thuhet në përgjigjen që ResPublica mori pasi iu drejtua më parë me një kërkesë për informacion Komisionerit, lidhur me këtë fakt.

Anashkalimi i opinionit të Komisionerit lidhur me krijimin e Agjencisë nuk është normale në një vendimmarrje të tillë, pasi veprimtaria që synohet të rregullohet me VKM lidhur me çështje që prekin të drejtën e informimit bie ndesh me rregullime ekzistuese, të cilat janë parashikuar në ligjin për të Drejtën e Informimit. Komisioneri për të Drejtën e Informimit është organi përgjegjës për zbatimin e këtij ligji. Me krijimin e një Agjencie për Informimin pritet të krijohet konfuzion kompetencash mes dy organeve, që do të thotë se ose këto do t’ia lënë përgjegjësinë njëra tjetrës ose do të duan ta marrë secila vetë, me përfundimin që informacioni publik do të mbahet peng nga ky “keqkuptim”. Nga ana tjetër gazetarët apo qytetarët, me gjasa nuk do dinë se kujt organi t’i drejtohen për të marrë informacion dhe kështu do të harxhojnë energji dhe kohë esktra.

Në pikën N të VKM-së thuhet se “Agjencia siguron përgjigje për shkresat dhe kërkesat për informacion, në lidhje me çështjet e informimit dhe komunikimit mediatik apo çështje të tjera në fushën e saj të përgjegjësisë”.

Dhënia e kompetencave Agjencisë për të vendosur mbi cështje të informimit është një nga pikat që shqetëson gazetaren investigative Lindita Cela. Sipas saj, ky vendim më së pari do të cenojë punën e gazetarëve të pavarur dhe gazetarisë investigative.

“Kompetencat që me VKM, Qeveria i ka dhënë agjencisë do të cënojnë direkt punën time. Në rastin më të mirë, mund të them se jam e paqartë se kujt duhet t’i drejtohem për dhënien e dokumenteve publike dhe kush mban përgjegjësi për refuzimin e tyre. Më pas, është kjo Agjenci që vendos, jo vetëm për lajmet, po edhe përgjigje për kërkesën e bërë. Më shumë se sa një agjenci në shërbim të transparencës dhe respektimit të ligjit për të drejtën e informimit më duket një super strukturë e krijuar në funksion të propagandës së qeverisë” – thotë gazetarja e OCCRP-së Lindita Cela.

Ndërsa për avokaten Irena Dule, përjashtimi i Komisionerit për të Drejtën e Informimit, në procedurën e hartimit të VKM-së që krijoi Agjencinë është në cdo rast një praktikë e keqe e të bërit të akteve, që ka pasoja mbi ligj zbatuesit dhe qytetarët.

“E shohim shpesh të ndodhë se si akte të nivelit të lartë hartohen pa marrë parasysh parimet e teknikës legjislative dhe kodifikimit dhe kjo ka pasoja. Njësoj edhe ky rast”- thotë avokatja Irena Dule.

Para miratimit të një vendimi qeverie duhet të merret opinion edhe nga struktura ekzistuese, kur këto rregullojnë veprimtari që synohet të rregullohet nga akti. Në rastin konkret Komisioneri është krijuar posaçërisht për të siguruar se e drejta e informimit do të garantohet dhe ky përgjigjet për veprimtarinë e tij para Kuvendit. Agjencia e krijuar me VKM, sipas kësaj të fundit, gjithashtu ka kompetenca që më parë i janë dhënë koordinatorëve për të drejtën e informimit dhe Komisionerit për të Drejtën e Informimit.

Meqë sot kjo VKM është miratuar dhe mendimi i Komisionerit nuk është marrë, kjo do të thotë se në relacion nuk gjendet asnjë informacion se ku ndahet kompetenca e Agjencisë me atë të Komisionerit.”

Bashkimi Evropian ka deklaruar se liria e medias qëndron në zemër të të sistemit të mirëqeverisjes dhe se liria e medias është një nga kriteret më të rëndësishëm për të cilin Shqipëria do të vlerësohet për të hyrë në BE.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *