Në datën 4 shkurt u zhvillua seanca dëgjimore pranë Komisionerit për Diskriminimin, në lidhje me ankimin e Taulant Mukës ndaj veprimeve të autoriteteve publike për mosnjehsimin e titujve të tij shkencorë të lëshuar nga Universiteti i Bernës në Zvicër. Taulant Muka, ish-zv.ministër i Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR) në vitin 2018, është shkencëtar dhe mjek epidemiolog me një karrierë të pasur akademike dhe kërkimore. Ai ka mbaruar një master në Shëndet Publik në Universitetin e Erasmus në Roterdam, dhe po në këtë universitet ka kryer studimet doktorature dhe post-doktorature, dhe ka pasur eksperienca kërkimore në Universitetin e Kembrixhit, Harvardit dhe Stanford. Muka gjithashtu ka qenë lektor në Universitetin Erasmus dhe Bernës dhe ka punuar në zyrat qendrore të Novo Nordisk në Kopenhagen, Danimarkë, në testimin e barnave të reja për diabetin. Muka është renditur për 3 vitet e fundit ndër 2% të shkencëtave me më shumë impakt në botë, sipas renditjes së përvitshme të publikuar nga Universiteti i Stanford dhe Elsevier.
Gjatë pandemisë së COVID-19, Muka ishte një nga kritikët e hapur të masave të ndërmarra nga qeveria, një qëndrim që e bëri atë të ndeshej me autoritetet shëndetësore të asaj kohe. Përveç kësaj, ai ka denoncuar publikisht probleme të shumta në arsimin e lartë, përfshirë skandale të lidhura me plagjiaturën në nivele të lartë politike dhe universitare. Ai nuk e dinte se do të përballej me të njëjtët njerëz që kishte denoncuar më parë, të cilët do të kishin kompetencën për të njehsuar titujt e tij shkencorë.
Kur Taulant Muka kërkoi njehsimin e titujve të tij shkencorë si “Docent”, ekuivalent i të paktën titullit “Profesor i asociuar” sipas legjislacionit vendas dhe “Profesor i asociuar” të marrë nga Universiteti i Bernës, ai u përball me një refuzim të paqartë dhe të parregullt nga strukturat e Ministrisë së Arsimit (MSA). Çuditërisht titujt e tij akademik të marra në universitete perëndimore të renditura ndër 100 universitet më të mira në botë nuk u njohën nga shteti ynë.
Qëndrimet publike të Z. Taulant Muka dhe kontributet e tij në fushën e arsimit dhe shkencës ndërkombëtare nga njëra anë dhe sjellja e MSA gjatë procedurës administrative, nga ana tjetër, tregojnë për një qëndrim të autoriteteve denigrues dhe të qëllimshëm. Pasi ai u kërkoi autoriteteve të verifikonin vlefshmërinë dhe ekuivalencën e titujve të tij, pyetjet që këto autoritete i kishin drejtuar Universitetit të Bernës për të verifikuar vlefshmërinë e titujve ishin jashtë kuadrit ligjor, tregonin mungesë profesionalizmi dhe respekti ndaj institucioneve akademike ndërkombëtare. Për më tepër, autoritetet refuzuan informacionin lidhur me identitetin e anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit, duke shkelur parimet e transparencës.
Përtej kësaj, procesi i kthimit të përgjigjes kaloi afatet ligjore deri në 6 muaj, duke dëshmuar neglizhencë dhe mosrespektim të procedurave të përcaktuara. Përgjigja ndaj ankimit u mor në një mënyrë të thatë, duke u mbështetur në arsyetimin se titulli “Docent” nuk mund të njehsohet për shkak të mungesës së ekuivalentit të tij në sistemin shqiptar, dhe se titulli “Profesor i Asociuar” nuk ishte i vlefshëm në kohë për Universitetin e Bernës. Këto arsye janë të pambështetura nga legjislacioni shqiptar dhe ndërkombëtar.
Refuzimi i njehsimit të titujve akademikë është në kundërshtim me Konventën e Lisbonës, e cila ka për qëllim eliminimin e diskriminimit dhe kërkon që titujt e njohur në një shtet të konsiderohen të vlefshëm në të gjitha shtetet nënshkruese, përveç në rastet kur organi publik provon dallime të rëndësishme.
Ky vendim i autoriteteve është jo vetëm diskriminues, por gjithashtu përbën një pengesë për politikat e Shqipërisë që synojnë të tërheqin “trurin” e shpërndarë në botë, pasi praktika e tillë i largon profesionistët e suksesshëm nga mundësia për të kontribuar në vendin e tyre. Sipas raporteve ndërkombëtare Shqipëria është ndër vendet e para në botë për largimin e trurit, dhe ndër vendet e fundit për kapacitet shkencore.
Për këtë arsye, Taulant Muka ka vendosur të kërkojë mbrojtje ligjore dhe çështja po ndiqet përmes avokates Irena Dule pranë qendrës “Res Publica”.
Res Publica