Ndërtimi i Aeroportit të Vlorës në zonën e mbrojtur Vjosë–Nartë, një nga projektet më të kundërshtuara për ndikimin e tij në mjedis dhe ligjshmërinë e procedurave, u bë sërish objekt debati në Gjykatën Administrative të Apelit, pas mbi dy vjetësh pritje.
Në fillim të procesit, (nëntor 2022) Gjykata Administrative e Shkallës së Parë në Tiranë vendosi ta rrëzonte menjëherë kërkesën, pa e marrë fare në shqyrtim. Vendimi u ankimua dhe çështja u kthye për rigjykim nga Gjykata Administrative e Apelit (qershor 2023), por më pas ndërhyri Gjykata e Lartë, e cila vlerësoi se Apeli nuk i kishte sqaruar siç duhet disa aspekte të procedurës. Ajo i kërkoi Apelit të korrigjonte këto mangësi procedurale, ndërkohë që shqyrtimi i vetë thelbit të çështjes ende nuk ka nisur.
Kjo ndërhyrje e papritur dhe e paarsyeshme e Gjykatës së Lartë, e shtyu me mbi dy vjet të tjera procesin gjyqësor për ligjshmërinë e aeroportit.
Gjykata e Lartë, në vend që të vendoste që në fillim një precedent të qartë për mbrojtjen e interesit publik, ka zgjedhur deri më tani të fokusohet tek “kushtet formale të legjitimimit”, statusi i palës së tretë, apo dallimi mes dëmit real dhe atij hipotetik, duke shmangur përballjen me pyetjen thelbësore: A mund të jetë i ligjshëm një aeroport brenda një zone të mbrojtur, sipas ligjit dhe konventave ndërkombëtare?
Pas rikthimit të dosjes dhe dy seancave të gjata debati, Gjykata Administrative e Apelit vendosi për herë të dytë që çështja të shqyrtohet në themel, aty ku duhej të kishte nisur gjykimi që tre vjet më parë, në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë. Me këtë vendim, u ezaurua përfundimisht çështja e legjitimimit të paditësve. Argumentet e palës paditëse të paraqitura në mënyrë të qartë dhe të detajuar, u vlerësuan si të qëndrueshme nga trupi gjykues, i cili vendosi që procesi të vazhdojë mbi përmbajtjen e kërkesës, pa u penguar më nga teknikalitetet procedurale.
Por ndërsa pritet që çështja më në fund të hyjë në binarët e drejtësisë, topi pritet të kalojë sërish në fushën e Gjykatës së Lartë. Po, në të njëjtën gjykatë që më parë e kishte kthyer dosjen në Apel, jo për t’u gjykuar në themel, por për të humbur rrugën mes pyetjesh që vetë ajo i kishte cilësuar më herët si të zgjidhura. E njejta gjykatë që përveç vonesave, po refuzon edhe pezullimin e ndërtimit dhe operimit të aeroportit, si kërkesa të veçanta që janë paraqitur për shqyrtim.
Kështu, loja e “ping-pongut procedural”pritet të vazhdojë. Nëse kjo gjykatë vijon me të njëjtin ritëm dhe stil, qytetarët dhe organizatat mjedisore do të mbeten të bllokuara në një labirint burokratik që e zvarrit drejtësinë deri në pikën kur ajo bëhet një iluzion. Ndërkohë, i vetmi përfitues konkret mbetet projekti koncesionar, që avancon përpara sikur në këtë vend të mos ekzistonte asnjë gjykatë.
Mbetet për t’u parë nëse Gjykata e Lartë do të kuptojë më në fund peshën e përgjegjësisë që mban në një çështje me rëndësi të jashtëzakonshme publike, apo do të zgjedhë sërish rrugën penguese të debateve formale e të panevojshme, që shërbejnë vetëm për të konsumuar kohën dhe për të shtyrë drejtësinë deri sa koncensionari të ketë mbaruar punë.
Res Publica
