14 tetor 2026
Qendra Res Publica shpreh mbështetjen e saj për studentët dhe qytetarët që u angazhuan në protestën paqësore të mbajtur më 14 tetor, në mbrojtje të zonave të mbrojtura dhe kundër zhvillimeve që rrezikojnë vlerat natyrore të vendit.
Kjo protestë përfaqëson vazhdimësinë e reagimit qytetar të nisur gjatë muajve maj dhe qershor, kur studentë, të rinj dhe qytetarë të tjerë u mobilizuan për të kundërshtuar projektet e zhvillimit në zonën e Zvërnec-Nartës dhe për të kërkuar mbrojtjen e kësaj pasurie natyrore. Angazhimi i tyre lidhet me një shqetësim më të gjerë publik për të ardhmen e zonave të mbrojtura në Shqipëri, integritetin e tyre ekologjik dhe respektimin e kuadrit ligjor që garanton mbrojtjen e natyrës.
Mbrojtja e zonës Pishë Poro-Nartë dhe e zonave të tjera të mbrojtura në Shqipëri ka qenë dhe vijon të jetë një prej çështjeve të rëndësishme të punës së Res Publica-s. Në bashkëpunim me organizata mjedisore, Qendra ka ndjekur rrugë ligjore për të kundërshtuar vendime dhe ndërhyrje që, sipas vlerësimit të saj, cenojnë statusin e mbrojtjes së këtyre zonave dhe interesin publik. Së fundmi, Res Publica, së bashku me organizata të tjera, i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për kundërshtimin e VKM-së nr. 596, datë 25 shtator 2024, lidhur me ndryshimet në zonimin e Pishë Poro-Nartës.
Në këtë kontekst, Res Publica e konsideron protestën paqësore një formë legjitime dhe të rëndësishme të pjesëmarrjes qytetare në çështjet me interes publik. E drejta për t’u mbledhur, për të protestuar dhe për të shprehur lirisht kundërshtimin ndaj vendimmarrjeve publike është pjesë thelbësore e një shoqërie demokratike. Këto të drejta u japin qytetarëve, veçanërisht të rinjve dhe studentëve, mundësinë të bëhen pjesë aktive e debatit publik dhe të kërkojnë llogaridhënie nga institucionet.
Angazhimi i studentëve dhe qytetarëve për mbrojtjen e Zvërnec-Nartës dhe të zonave të mbrojtura në tërësi është një shprehje e përgjegjësisë qytetare ndaj trashëgimisë natyrore dhe brezave të ardhshëm. Res Publica do të vijojë të mbështesë nismat paqësore qytetare dhe përpjekjet ligjore që synojnë mbrojtjen e interesit publik, respektimin e shtetit të së drejtës dhe garantimin e të drejtave dhe lirive themelore.
Res Publica
