Në Shqipëri, mediat lokale përballen me presione të mëdha dhe burime të kufizuara, ndërsa standardet e vetërregullimit shpesh mbeten privilegj i mediave të mëdha kombëtare. Për ta ndryshuar këtë realitet, Res Publica dhe Këshilli Shqiptar i Medias në kuadër të projektit “Promovimi i etikës dhe vetërregullimit në mediat lokale. Sfidimi i dezinformimit”, mbështetur me fonde të Bashkimit Evropian dhe implementuar nga Instituti i Medias në Shqipëri, hartuan një metodologji të re që synon të krijojë hapësira reflektimi dhe bashkëpunimi për gazetarët lokalë. Qëllimi ishte të hartohej një udhërrëfyes praktik për ndërtimin e kulturës së etikës profesionale nga poshtë – lart.
Metodologjia, e zhvilluar për qytetet pilot Shkodër dhe Vlorë, është ndërtuar mbi pjesëmarrje të drejtpërdrejtë dhe dialog të hapur mes gazetarëve, redaktorëve, organizatave të shoqërisë civile dhe ekspertëve të fushës. Ajo përfshin zhvillimin e tryezave dhe fokus-grupeve që nxisin vetëreflektim mbi etikën, analizojnë pengesat strukturore e kulturore, dhe testojnë mekanizma praktikë që mund të përshtaten në çdo redaksi lokale.
Në thelb të saj qëndron ideja se vetërregullimi nuk mund të imponohet nga jashtë, por duhet të ndërtohet nga vetë komuniteti i gazetarëve, përmes bashkëpunimit, trajnimit dhe ndarjes së përvojave. Kjo metodologji nuk është një ushtrim teorik. Ajo ofron mjete konkrete për të forcuar etikën në praktikë, për të ndërtuar rrjete mbështetëse profesionale dhe për t’i dhënë zë mediave lokale në proceset kombëtare të vetërregullimit.
Në fund, qëllimi është të kthehet etika në një forcë reale që mbron gazetarin dhe e bën median lokale më të besueshme, më profesionale dhe më të lidhur me interesin publik.

