DEKLARATË – Një vend pa Gjykatë Kushtetuese është de jure në gjendje të jashtëzakonshme

Filed under: Lajme te reja,Veprimtari |

Kushtetuese3Situata ku ndodhet sot Shqipëria është më alarmante se kurrë! Jemi de jure në gjendje të jashtëzakonshme. Gjatë gjithë viteve të shtetit demokratik shqiptar nuk ka ndodhur asnjëherë të mbetemi pa Gjykatën Kushtetuese. Madje as në vitin e mbrapshtë 1997 nuk ka ndodhur një gjë e tillë.

Sot të drejtat e njeriut në Shqipëri nuk kanë më garanci judirike. Kushtetuta mbetet vetëm një letër e shtypur që nuk ka asnjë vlerë nëse nuk kemi një gjykatë për ta mbrojtur atë. Organizatat që mbrojnë të drejtat e njeriut nuk kanë ku të trokasin nëse të drejtat e njeriut shkelen në mes të ditës. Shembulli më domethënës është ligji për godinën e Teatrit Kombëtar, një ligj ky që synon kalimin e pasurisë publike te persona privatë që veprojnë në partneritet me pjesën tjetër të shtetit (atë pa Gjykatë Kushtetuese). Për këtë ligj po ngrihen shqetësime legjitime që është miratuar në shkelje të plotë të autonomisë së pushtetit vendor dhe në shkelje të barazisë së shtetasve në tendera dhe ankande publikë. Dhe ky ligj është thjesht një shembull i rradhës. I vetmi institucion demokratik që ka kompetencë për të dëgjuar këto shqetësime dhe për të frenuar aventurën antikushtetuese është Gjykata Kushetutese. Por kjo gjykatë sot është një ngrehinë e zbrazur nga pushteti që duhej të kishte. Përgjegjësi ka Kuvendi që me një mungesë të theksuar pjekurie ka miratuar ligje pa menduar pasojat, sic janë dispozitat që ventingu nuk i shkarkon gjyqtarët por vetëm i pezullon ata, duke krijuar situatën absurde ku gjyqtarët nuk marrin dot vendime, por edhe nuk zëvendësohen dot. Ky Kuvend sot po shkon më tej, duke miratuar ligje të tillë antikushtetues me perversitetin që e di se c’pasoja ka prodhuar dhe po gjen rastin t’i shfrytëzojë ato për keq, duke na kujtuar shprehjen “ujku mjegull do”. Përgjegjësi ka edhe Presidenti i Republikës që nuk ka bërë presion për procesin e emërimit të anëtarëve të rinj në Gjykatën Kushtetuese dhe do jetë më shumë përgjegjës nesër nëse nuk do të thërrasë Kuvendin në sesion të jashtëzakonshëm. Përgjegjësi kanë edhe organet e vetingut që nuk po marrin ende në shqyrtim kandidatët e rinj për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, ndërkohë që po merren me këshilltarët e gjykatave dhe me prokurorë rrethesh që kanë një rëndësi të dorës së dytë. Përgjegjësi kanë edhe deputetët e opozitës që nuk po propozojnë asnjë amendament për të riparuar situatën dhe cmpihen vetëm me disa deklarata televizive. Përgjegjësi kanë edhe ndërkombëtarët që mbështetën reformën, të cilët kanë rënë në gjumë, ndërkohë që një vit më parë shtynin fort miratimin e paketës së kësaj reforme që sot rrezikon të dështojë. Përgjegjësi kanë edhe të gjitha ato media që nuk bëhen pjesë e këtij shqetësimi.

Kërkojmë urgjentisht që Kuvendi dhe Presidenti i Republikës të mos bëjnë asnjë ditë pushim dhe të rivendosin rendin kushtetues në vend. Kërkojmë urgjentisht nga Ambasada e SHBA, që përmes zyrës së specializuar të OPDAT, dhe Bashkimi Evropian, që përmes zyrës së specializuar EURALIUS, të propozojnë zgjidhje dhe të bëjnë të gjithë presionin e duhur që kjo situatë të zgjidhet sa më shpejt, qoftë edhe përmes marrjes së masave të përkohshme sic u veprua në rastin e Prokurorit të Përgjithshëm.

Një vend pa rend kushtetues të garantuar përmes institucioneve rrezikon grushtin e shtetit nga pushteti ekzekutiv dhe sponsorët e atyre që nuk po kalojnë vetë në të njëjtin veting si gjyqtarët. Një vend i tillë rrezikon të bëhet laboratori i ideve më të mbrapshta që mund të prodhojë medja e pangopur e disa pushtetarëve të zgjidhur nga zinxhiri kushtetues.

Res Publica

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *