Familja Veizi tërhiqet përkohësisht nga gjyqi kundër Gardës së Republikës dhe Ministrisë së Brendshme

Filed under: Lajme te reja |

ziver_veizi_vrasjaNë seancën e sotme, Alma Rredhi, ish bashkëshortja e të ndjerit Ziver Veizi dhe nëna e Klajdi dhe Ana Veizit, kërkoi nga gjykata administrative pushimin e gjykimit. Pas dështimit të gjetjes së zgjidhjes me pajtim nga grupi i punës së ngritur nga Kryeministri, padia u ngrit në muajin Mars 2016 me ndihmë të Res Publica, me objekt shpërblimin e dëmit të shkaktuar nga humbja e jetës së Ziver Veizit në protestën e 21 Janarit 2011.

Edhe në këtë seancë, njëlloj si në çështjen e familjes së të ndjerit Faik Myrtaj zhvilluar pak ditë më parë, përfaqësues të Gardës së Republikës dhe Avokaturës së Shtetit pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme kishin dorëzuar prapësimet duke kërkuar nga gjykata rrëzimin e padisë. Sipas tyre Garda e Republikës nuk duhej të mbante përgjegjësi për vrasjen e 4 demonstruesve paqësorë më 21 Janar 2011.

Por, përpara se ata të lexonin para gjykatës materialin që kishin dorëzuar në sekretari, përfaqësuesja e familjes Veizi, njëkohësisht personi që kishte autorizuar avokatët me prokurë të posaçme, u tërhoq nga kjo padi. Tërheqja është e përkohshme dhe se padia mund të ngrihet përsëri brenda afateve, pasi ajo të jetë konsultuar me fëmijët, të cilët tashmë janë rritur dhe duhet të vendosin vetë për fatin e kësaj çështjeje.

Ndërkohë, në Gjykatën Administrative vazhdon gjykimi i padisë së familjes Myrtaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *