Gjykata: Të hetohet stafi i QSUT për vdekjen e 11 vjeçarit Denis Almadhi

Filed under: Lajme te reja,Veprimtari |

denis almadhi_0Sot, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë vendosi të urdhërojë Prokurorinë e Rrethit Tiranë të nisë hetimet për përgjegjësinë e drejtuesve të QSUT “Nënë Tereza” për vdekjen e të miturit Denis Almadhi.

Vendimi erdhi pas një ankese të bërë nga prindërit e të ndjerit, të cilët më parë kishin marrë një përgjigje negative nga Prokuroria e Tiranës për kallëzimin e bërë prej tyre vitin e kaluar. Çështja u mbrojt nga Res Publica në kuadër të sfidimit të kulturës së pandëshkueshmërisë, mbështetur nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë.

Siç është bërë publike më parë, i mituri Denis Almadhi, 11 vjeç, ka humbur jetën më 08 Nëntor 2012 pas një ndërhyrjeje kirurgjikale në QSUT Nënë Tereza, pasi iu nënshtrua një ndërhyrje kirurgjikale estetike për të korrigjuar rënien e kapakut të syrit. Ndërhyrja u bë nga dy mjekë irlandezë, Gerald Fahy dhe Kevin Clarkson, nën vëzhgimin edhe një të ekipi mjekësh shqiptarë nga stafi i spitalit. Gjatë ndërhyrjes pacienti pësoi hipertermi malinje si rezultat i reaksionit nga anestezia.

Prokuroria e Rrethit Tiranë nisi hetimet për ngjarjen, duke u kufizuar në nxjerrjen e përgjegjësisë së dy shtetasve irlandezë, por nuk u zgjerua më tej për të analizuar përgjegjësinë e drejtuesve të spitalit. Në gjykim u dërguan vetëm dy shtetasit irlandezë dhe gjykata deklaroi fajtor shtetasin Kevin Clarkson (anestezisti), të cilin e dënoi me gjobë në masën 60.000 lekë.

Duke qenë se nuk u hetua roli i funksionarëve të QSUT, prindërit e të ndjerit paraqitën një kallëzim penal ndaj tyre për shkak se ata kishin lejuar që shtetasit irlandezë të kryenin kirurgji pa u njohur më parë për aftësitë e tyre profesionale, pa u akredituar nga Urdhëri i Mjekut, në kushtet kur nuk kishte një marrëveshje të vlefshme mes autoriteteve shqiptare për kryerjen e kësaj ndërhyrjeje, si dhe për shkak se salla e operacionit nuk ishte e pajisur me Dantrolen, preparat i cili do të shpëtonte jetën të ndjerit.

Gjykata e pa të arsyeshme të urdhëronte nisjen e hetimeve për të dalë në një konkluzion që të mund të zbardhë të gjithë zinxhirin shkak-pasojë për ngjarjen, duke përfshirë të gjithë përgjegjësit.

Res Publica kujton se tipologjia e kësaj ngjarjeje është e njëllojtë me atë të Gërdecit. Në të dy rastet organet shtetërore janë pajtuar me idenë që disa specialistëve të huaj, pa nevojën e një certifikimi, t’u jepet në dorë kryerja e veprimtarive të rrezikshme, dhe zyrtarët e shtetit më pas kanë tentuar ti bëjnë bisht përgjegjësisë. Hetimi për këtë ­çështje ka rëndësi jetike për vënien e zyrtarëve para përgjegjësisë, me synimin që në të ardhmen askush të mos ndjehet i pasigurtë për jetën në spitalet publike, por të jetë nën përgjegjësinë e plotë të atyre që e kanë për detyrë të kujdesen për pacientët, duke i lënë ata në duar dhe salla operacioni të sigurta.

Res Publica

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *