GJYKATAT NUK LEGJITIMOJNË MJEDISORËT. KJO SITUATË PRITET TË NDRYSHOJË

Filed under: Lajme te reja,Veprimtari |

Access-to-justice-peopel-system-human-systemMegjithëse për fat të mirë gjenden organizata dhe individë që kanë motivimin e duhur për të marrë përsipër një betejë ligjore për mbrojtjen e mjedisit, ata përballen në radhë të parë me problemin e aksesit në gjykatë. E thënë thjesht, nëse individët, grupimet apo organizatat, nuk lejohen (nuk legjitimohen si paditës) të nisin një gjyq të kësaj natyre, padia e tyre është e destinuar të rrëzohet. Dhe kjo po ndodh vazhdimisht në gjykatat shqiptare dhe jo aq shumë për faj të gjyqtarëve, por për faj të ligjeve tona që edhe kur kanë dhëmbë, i kanë ato të prishura.

Vlen të theksohet se rrëzimi i padive të kësaj natyre prodhon të paktën dy efekte negative. Së pari, veprimtaria administrative mbetet jashtë kontrollit të pushtetit gjyqësor (duke cenuar parimin e kontrollit gjyqësor) dhe së dyti, e drejta e qytetarëve për të mbrojtur dhe gëzuar një mjedis të shëndetshëm mbetet një e drejtë e pa garantuar në rastin kur veprimet e administratës shtetërore janë në kundërshtim me ligjin.

Qendra Res Publica në një studim për paditë kolektive mbështetur nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, analizoi se si gjyqtarë të ndryshëm i kishin dhënë zgjidhje disa çështjeve gjyqësore të ngritura nga shoqatat mjedisore dhe qytetarë të interesuar. U vu re se në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë, Tiranë, katër gjyqtarë të ndryshëm i dhanë zgjidhje të ndryshme rasteve tipologjike të njëjta. Vetëm njëra nga këto çështje u fitua nga paditësit, ndërsa tre të tjerat u rrëzuan për mungesë legjitimimi (dmth se nuk kanë të drejtë as të ngrenë padi, e jo më të fitojnë gjyqin).

Më parë, qendra Res Publica, duke shfrytëzuar momentin e ndryshimeve legjislative në kuadër të reformës në drejtësi, u angazhua në dërgim të rekomandimeve për përmirësim të legjislacionit në këtë aspekt. Këto përpjekje rezultuan të pafrytshme, për arsye se mungonte vullneti për të riparuar shumë ligje. Në këto kushte rruga alternative për të adresuar këtë problematikë mbetej ndryshimi i praktikës gjyqësore, përmes litigimit strategjik. Ndaj u pa e përshtatshme, që të çohej një ankim te Komiteti i Aarhus (organi që trajton ankesat për rastet kur nuk respektohet Konventa e Aarhusit për mosnjoftimin dhe shpërfilljen e konsultimit publik për cështje të mjedisit). Edhe pse vendimet e Komitetit të Aarhusit janë këshilluese dhe sugjeruese, ato janë efektive në marrjen e masave parandaluese apo ndaluese për dëmin mjedisor dhe mbi të gjitha për ndryshimin e legjislacionit dhe praktikës gjyqësore, në drejtim të legjitimimit të organizatave mjedisore, ose e thënë thjesht, që t’i hapen dyert e gjykatave edhe shoqatave mjedisore dhe qytetarëve që u dhemb shkatërrimi i mjedisit. Këto problematika të ngritura nga shoqatat, por që prekin një masë të madhe njerëzish, mbeten pa zgjidhje nëse ajo pjesë e shoqërisë që është më e ndërgjegjësuar dhe e informuar, nuk fuqizohet me mjete juridike.

Për sa kohë Kuvendi ynë nuk bën detyrat e shtëpisë për t’i sjellë ligjet në terezi, por merret se kush është “armiku” i rradhës, mbetemi të fusim “mik” ndërkombëtarët, që nuk u lodhën së lodhuri me ne.

Res Publica

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *