Kallëzohen penalisht punonjës të FSDKSH / Shtypshkrimet u quajtën reklama

Filed under: Lajme te reja,Veprimtari |

Capture fsdkshRastet e shkeljeve në tendera nuk raportohen vetëm nga Kontrolli i Lartë i Shtetit apo funksionarët e lartë politikë. Tashmë edhe shoqëria civile po merr një rol më aktiv në këtë fushë, falë mbështetjes së Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, në kuadër të sfidimit të kulturës së pandëshkueshmërisë.

Pas një hulumtimi në dokumentacion, u konstatua se më 31 Tetor 2014, Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH) ka zhvilluar një tender për fushatën e informimit dhe komunikimit për programin e Kontrollit Mjekësor Bazë pa pagesë për popullatën 40-65 vjec, me fond limit 45.000.000 lekë. Tenderi kishte për objekt blerjen e reklamave televizive, por, ndër të tjera, aty është përfshirë edhe shtypi i posterave, fletëpalosjeve, etj.

Sipas ligjit, blerja e reklamave është e përjashtuar nga zbatimi i rregullave standarde të prokurimit publik dhe rregullohet nga një akt nënligjor i posacëm (VKM nr 1195, datë 05.08.2008), por ky përjashtim vlen vetëm për reklamat në media dhe jo për shtypshkrimet, të cilat cdo autoritet publik i prokuron me tender të zakonshëm.

Nga oferta e operatorit fitues rezulton se për shtypshkrimet dhe artikujt promocionalë vlera totale është 4.632.000 lekë. Vlera totale e ofertës është 44.950.000 lekë, ose e barabartë me 99.9% të fondit limit.

Duke shmangur përdorimin e procedurave sipas ligjit për prokurimin publik, personat e kallëzuar kanë përdorur një procedurë prokurimi që nuk lejohet në rastin e shtypshkrimeve, duke përjashtuar nga gara shoqëritë e specializuara për shtypshkrime. Duke gjykuar nga pjesëmarrësit, rezulton se nuk ka marrë pjesë asnjë shtypshkronjë prej atyre që kanë  marrë pjesë në tenderat e mëparshëm të këtij autoriteti publik. Në tender kanë dhënë ofertë vetëm disa agjenci publicitare që dyshohet se nuk i realizojnë vetë shtypshkrimet dhe kjo mund të ketë rritur artificialisht kostot. Për më tepër, nuk janë përcaktuar as sasitë e disa artikujve, duke lënë mundësi abuzimi me cmimet.

Materiali i dorëzuar në Prokurorinë e Rrethit Tiranë është shoqëruar me provat përkatëse, të cilat janë siguruar duke përdorur ligjin nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *