Koha është flori për disa zyrtarë të kallëzuar nga KLSH

Filed under: Lajme te reja |

cartelTejkalimi i afatit të hetimit nga organi i Prokurorisë shpëton zyrtarët e kallëzuar nga KLSH

Nuk është e rrallë që organi i Prokurorisë, për një arsye ose tjetër, të zgjasë afatet e hetimit të një çështjeje. Përfitues të zgjatjes së afateve me mbi 3 vjet (afati ligjor maksimal i vendosur nga ligji) janë në disa raste edhe zyrtarë publikë të kallëzuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH).

Gjatë një studimi të bërë nga qendra Res Publica me mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, mbi ecurinë e kallëzimeve të bëra nga KLSH, (kliko këtu për të shkarkuar raportin) u vu re se, për 13 zyrtarë publikë, të kallëzuar në dy kallëzimeve penale nga ana e KLSH në vitin 2013 (si vit studimor), nuk përfunduan hetimet në afatin e duhur nga ana e prokurorisë duke rrezikuar dështimin e hetimit për ta.

Të pyetur për arsyen e kalimit të afatit, Prokuroria nuk dha shpjegime për njërin kallëzim, ndërsa për kallëzimin tjetër u përgjigj se hetimet u pezulluan për shkak të pritjes së përgjigjeve të disa letërporosive të nisura në dy shtete të huaj.

Nga përgjigja e prokurorisë dyshojmë se njëra cështje edhe mund të jetë djegur përfundimisht, ndërsa për tjetrën prokuroria është duke u përpjekur për të mos i vënë ende emrin “e djegur“, duke e mbajtur në reanimacion e atyre të shkretave “letërporosi“ që gjithmonë janë diku rrugës. Fenomeni i kalimit të afateve procedurale në organin e akuzës që herë pas here harron ndonjë dosje, është vështirë të kuptohet se vjen për shkaqe aksidentale.

Mosveprimi i prokurorisë, duke djegur afatet hetimore, ka gjetur shpesh terren të zhvillohet edhe për shkak se ky organ nuk ka pasur kontroll njëlloj si gjykatat që kishin mbi kokë Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Me reformën në drejtësi kontrolli mbi organin e akuzës do të ushtrohet nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Le të besojmë që ky kontroll do të detyrojë prokurorët të mbajnë një kalendar në zyrat e tyre dhe të numërojnë mirë ditët e hetimit që ditët e lumtura për ata që përfitojnë nga djegia e afateve të marrin fund.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *