Ligji i ri per te drejten e informimit – një armë e fuqishme në duart e publikut

Filed under: Lajme te reja |

imagesInformacioni është një nga indikatorët më të rëndësishëm për të përcaktuar nëse një shoqëri është demokratike ose jo. Midis dy palëve, qeverisë nga njëra anë dhe publikut nga ana tjetër, ka vazhdimisht një përpjekje të kërkuar informacion por edhe për t’ia fshehur atë prej njeri-tjetrit. Qeveria është gjithmonë në pozita më të privilegjuara, ndërsa publiku është palë më e dobët, sidomos në shoqëritë jodemokratike. Në një shoqëri demokratike askush nuk është i privilegjuar, por ekziston një balancë midis dhënies dhe kufizimit të informacioneve nga të dy palët. Themi të dy palët, sepse jo vetëm publiku është i interesuar të marrë informacione mbi veprimtarinë e qeverisë, por edhe kjo e fundit është e interesuar të marrë informacion rreth veprimtarisë private të individëve për të parandaluar apo ndëshkuar krimet dhe kundravajtjet. Të dyja ecin paralelisht. Nëse qeveria ngushton hapësirën private të individëve ajo është e detyruar ti përgjigjet në të njëjtin nivel edhe kërkesës për hapjen e saj. Për shembull, së fundi qeveria kërkoi të merrte informacion për numrat IMEI, duke e shtyrë kufirin pak më tutje dhe ngushtuar privatësinë e qytetarëve dhe kjo u justifkua me interesin publik. I njëjti interes justifikon edhe kërkesën e publikut për të shtyrë më tutje kufirin e mbrojtjes së informacioneve zyrtare. Nëse qeveria kërkon të dijë më shumë rreth nesh, edhe ne duhet të dimë më shumë rreth saj.

Zhvillimet e fundit kanë qenë më pozitive për publikun sesa për qeverinë. Ndërkohë që në Gjykatën Kushtetuese diskutohet kushtetuetshmëria e zbulimit të numrave IMEI dhe mundësia e përgjimit prej kësaj manovre, nga ana tjetër, më 18 shtator Kuvendi miratoi një ligj të ri për të drejtën e informimit që zbulon veprimtarinë shtetërore në përmasa shumë të mëdha se më parë.

Është e vërtetë që edhe më parë e drejta e informimit nuk ishte një koncept i panjohur për publikun shqiptar. Shqipëria aktualisht vjen pas një historie të një ligji të miratuar që në vitin 1999 (nr. 8503), i cili qendroi në fuqi për 15 vjet. Por zbatimi i këtij ligji, të lënë pas tashmë, ka qenë sporadik dhe i shoqëruar me shumë probleme, që e kanë bërë ligjin praktikisht të pazbatueshëm. Ai ishte shumë larg standardeve të kohës. Kishte mangësi që shkaktonin probleme në interpretimin e tij, afatet ishin të stërzgjatur dhe të paleverdisshëm, mungonte një mënyrë efektive për të penalizuar zyrtarët që refuzonin informacionin pa shkak, nuk jepej asnjë lloj ndihme nga shteti dhe mbi të gjitha nuk kishte asnjë skemë proaktive që qeveria të publikonte vetë informacionet më të rëndësishmë pa u paraqitur ndonjë kërkesë nga ndokush.

Arsyet e mësipërme e bënë të pashmangshme nevojën për diskutimin e një drafti të ri, të cilin e propozoi shoqëria civile (me nismën e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë) dhe që mazhoranca aktuale e pa të arsyeshme të mos rezistojë dhe të përkrahë këtë nevojë të shoqërisë, aq më tepër kur ligji synon të dëmtojë keqbërësit e veshur me funksione shtetërore dhe jo vetë funksionimin e shtetit.

Megjithëse në këto dy dekada kemi përjetuar një revolucion të legjislacionit në shumë fusha, liria e informimit e gjeti me shumë vështirësi rrugën drejt efektivitetit. Lobimi mes shoqërisë civile dhe qeverive të ndryshme zgjati për shumë vjet pa ndërprerje për të arritur në fund që sot të kemi një armë të fuqishme në dorë për të kuptuar si funksionon shteti, për të përfituar shërbime më të mira publike dhe mbi të gjitha për të ushtruar trysninë e kërkimit të llogarisë nga funksionarët e zgjedhur dhe të emëruar.

Ligji i ri, ndonëse duket fillimisht si i bazuar në modelin paternalist të qeverisë së hapur, me në qendër qeverinë që vendos se çfarë duhet të dime, ka përfshirë gjerësisht edhe lirinë e informimit. Duke zgjeruar hapësirën e lirisë së informimit skemat proaktive të botimit nuk krijojnë varësi, por vijnë në ndihmë. Shumë informacione nga ato që zakonisht kërkohen nga gazetarët, aktivistët e shoqërisë civile apo individë të tjerë të interesuar, tashmë do të jenë të aksesueshëm online për t’u arritur pa kosto, me komoditetin e një kliku. Informacionet e tjerë mund të kërkohen me një shkresë të thjeshtë apo edhe me email dhe për 10 ditë pune mund të kemi në dorë cdo gjë që duam të dimë. Përjashtime do të ketë vetëm për dokumentat e klasifikuara sekret shtetëror (publikimi i tyre mund të dëmtojnë interesat kombëtare), proceset hetimore (publikimi i detajeve mund të dëmtojë hetimet), si dhe të dhënat personale ose sekretet tregtare (publikimi i tyre mund të dëmtojë interesa personale). Por, në rast se ka një interes publik më të lartë edhe këto informacione do të mund të aksesohen. Për shembull një gazetar investigativ i cili synon të zbulojë një aferë korruptive do të ketë më shumë mundësi të zbulojë informacione të këtij karakteri, pasi ai nuk e kërkon informacionin vetëm për interesin e tij personal, por për t’i shërbyer interesit publik të ndëshkimit të fajtorëve.

Me anën e krijimit të një organi të ri vendimmarrës (Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe për Mbrojtjen e të Dhënave Personale) do të bëhet e mundur që ligji të pasurohet me praktika të unifikuara që do të plotësojnë boshllëqet, sidomos përmes provokimit të rasteve nga OJF të specializuara.

Me një hap mjaft cilësor përpara, ligji i ri parashikon një sërë rregullash favorizuese, që në ndryshim nga ligji i mëparshëm, i japin mundësinë që ai të kthehet në një ligj praktik dhe të vlefshëm. Kështu mund të përmendim afatet e shkurtra (10 ditë pune), ekzistencën e një organi që shqyrton ankesat (që deri më parë nuk ekzistonte), sanksionet e ashpra për zyrtarët që refuzojnë dhënien e informacionit, mundësinë e konsultimit të dokumenteve në vend, rishikimi i klasifikimit të dokumentave secret, programet e transparencës që do të publikojnë online pjesën dërrmuese të informacioneve që zakonisht kërkon publiku, etj.

Aksesi në informacion dhe në dokumenta nuk do të prekë vetëm qeverinë në kuptimin e ngushtë të fjalës, por edhe pushtetin legjislativ, gjykatat e prokuroritë e cdo niveli. I gjithë shteti është tashmë më i zbuluar dhe kushdo që do të përpiqet ta pengojë informacionin do të përballet me gjoba të njëpasnjëshme deri sa ta mos i leverdisë askujt të mbajë një kosto kaq të madhe personale dhe t’ia dorëzojë të vërtetën në dorë publikut, sado e dhimbshme qoftë ajo.

Është veçanërisht një domosdoshmëri që shoqëria civile dhe gazetarët të ushtrojnë sa më shumë të drejtat e fituara nga ky ligj i ri, në mënyrë që të evidentohen të gjitha problemet që pa një test të mirëfilltë praktik nuk mund të merren me mend në mënyrë teorike. Në mënyrë teorike presupozohet që vullneti i autoriteteve dhe aftësia e tyre për zbatimin e ligjit të jenë në nivele të kënaqshëm. Prezupozohet gjithashtu edhe funksionimi i mirë i Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Por praktika do të jetë testi më i mirë.

Ligji ka krijuar hapësira për të siguruar një transparencë që deri më parë nuk ishte imagjinuar. Është në interesin e të gjithë shoqërisë që ky ligj të kthehet në shembullin më të mirë të armës së dhuruar publikut për të luftuar pikërisht fabrikuesin e vet, me qëllim pastrimin e tij nga çdo qelizë e korruptuar.

Një epokë e re ka nisur, një epokë kur qeveria është më transparente se kurrë më parë. E vetmja gjë që na duhet të bëjmë është të bëjmë sa më shumë pyetje dhe të mos mbetemi pasivë, në varësinë e atij versioni fakteve që serviret nga zëdhënësit. E vërteta nuk ka nevojë për zëdhënës, ajo bërtet vetë kur e rrëmben dhe e sheh në sy.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *