Partia mbi shtetin – Mentalitet që nuk vjetërohet

Filed under: Lajme te reja |

12705673_10208718776304710_1442755313166712871_nKontrolli i Lartë i Shtetit i trembet sulmit politik, nëse kontrollon fondet e partive politike

Partitë politike financohen në mënyra të ndryshme, ku një pjesë e fondeve të tyre vjen nga buxheti i shtetit. Kontrolli i Lartë i Shtetit, si organi kushtetues për kontrollin e përdorimit të fondeve publike, ka detyrimin ligjor që të monitorojë rregullshmërinë e përdorimit të fondeve, që partitë politike marrin nga buxheti i shtetit.

Por a janë bërë ndonjëherë objekt kontrolli këto fonde nga KLSH? Kjo pyetje u ngrit nga qendra Res Publica gjatë punës kërkimore për një studim të saj me mbështetjen nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (kliko këtu për të shkarkuar studimin). Nga informacioni i mbledhur rezultoi se KLSH nuk ka audituar partitë politike, duke i ekspozuar fondet ndaj mundësisë së abuzimit.

Në observacionet ndaj këtij studimi, KLSH-së sqaroi se ka një problem teknik që e pengon, por ajo që nuk pritej ishte argumenti tjetër, se ky institucion nuk do preferonte të auditonte partitë sepse çdo gjetje, konkluzion dhe rekomandim në raportet e auditimit do të kontestohej dhe interpretohej nga partitë politike, si një sulm politik, duke cenuar kështu kredibilitetin si institucion i pavarur kushtetues.

Vërtet ekziston një problem teknik, që përdorimi i fondeve publike të përfituara nga partitë nuk destinohet, gjë që e bën të vështirë kontrollin e përdorimit të tyre kur ato përzihen me fondet jopublike të përfituara nga ato. Vlen të theksohet se me ndryshimet ligjore në vitin 2011 Komisioni Qendror Zgjedhor mbikëqyr përdorimin e fondeve të partive politike, por objekti i kontrollit të KQZ, që synon të evidentojë parregullsitë në financime që mund të ndikojnë në shtrembërimin e peizazhit elektoral, nuk duhet të konfondohet me objektin e kontrollit të KLSH, i cili lidhet me rregullshmërinë e përdorimit të fondeve publike nga ana e partive politike, i cili mbetet funksion i kësaj të fundit. (kujtojmë se ligji për KLSH është miratuar në vitin 2014 pra 3 vjet më vonë, se ndryshimet ligjore që i kanë dhënë KQZ kompetencën të monitorojë financat e partive).

Argumenti që është i papranueshëm ka të bëjë me atë që mbetet në preferncë të KLSH-së auditimi i Partive Politike. Sot partitë nuk duhen të jenë mbi shtetin. Auditimi i fondeve që partitë politike marrin nga buxheti i shtetit është detyrim i vendosur nga ligji organik i KLSH, dhe ky ligj përfaqëson vullnetin më të lartë të trupës ligjvënëse, e cila gjenerohet nga klasa politike më e votuar. Për këtë arsye, KLSH nuk duhet të stepet nga sulmet dhe komentet politike. Ato mund të mos shmangen dot, por më i pashmangshëm duhet të jetë zbatimi i ligjit, i cili duhet si rregull të qendrojë mbi partitë dhe politikën e tyre ditore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *