Gazetari Elton Qyno fitoi dje një betejë të gjatë dhe të vështirë ligjore për mbrojtjen e burimeve të tij konfidenciale, pasi Gjykata Kushtetuese shpalli antikushtetues sekuestrimin dhe kopjimin e të dhënave të tij personale nga SPAK. Vendimi, i bërë publik në një takim të posaçëm me gazetarët, përfaqëson një precedent të rëndësishëm për lirinë e medias dhe forcimin e shtetit të së drejtës.
Kjo çështje u mbrojt nga Qendra “Res Publica”, me mbështetjen bujare të National Endowment for Democracy (NED), të cilit i shprehim mirënjohje për besimin dhe përkrahjen e vazhdueshme.
Res Publica falenderon gjithashtu SafeJournalists, organizatat partnere të Reagimit të Shpejtë për Lirinë e Medias dhe Reporterët pa Kufij, të cilët u angazhuan për këtë kauzë që në orët e para pas sekuestrimit të pajisjeve të gazetarit.
Një vlerësim i posaçëm shkon për organizatën “Media Defence”, e cila i paraqiti Gjykatës Kushtetuese një opinion këshillimor, duke shtuar ekspertizën juridike mbi rastin, si dhe Avokatin e Popullit që publikoi një raport të posaçëm mbi rastin.
Gjithashtu, falenderojmë për kontributin e çmuar avokatin për të drejtat e njeriut Theodoros Alexandridis, i cili organizoi me përpikmëri elementët kyç të jurisprudencës evropiane dhe ndërkombëtare që ndriçuan aspektet më delikate të kësaj çështjeje dhe bëri të mundur marrjen e një vendimi të paprecedent nga Komiteti për të Drejtat e Njeriut në OKB.
Edhe pse ky rast dukej i thjeshtë në fillim, rrugëtimi përmes sistemit gjyqësor e komplikoi atë për shkak të mungesës së guximit të gjykatave më të ulëta për t’i vënë kufij SPAK-ut. Më në fund, Gjykata Kushtetuese vendosi një standard të ri, në mënyrë unanime, që i jep fund çdo dyshimi.
Kjo fitore ka disa dimensione të rëndësishme:
1. Fitore për lirinë e shprehjes – Vendimi e ngre standardin e mbrojtjes së burimeve gazetareske më lart, në vijim të standardeve të vendosur në çështjen “Lapsi”, e cila u mbrojt gjithashtu nga Res Publica.
2. Asgjësimi i të dhënave – Është hera e parë që Gjykata Kushtetuese urdhëron fshirjen e plotë të të dhënave të mbledhura në mënyrë të paligjshme nga autoritetet ndaj një gazetari.
3. Sfida e pushtetit absolut të SPAK – Është rasti i parë që SPAK, dhe në veçanti drejtuesi i saj Altin Dumani, përballet me një humbje të qartë në gjyqësorin vendas. Gjykata Kushtetuese ishte muri që ai nuk e kaloi dot, pavarësisht përpjekjeve të tij për të demonizuar gazetarin, shpërfilljes prejt tij të vendimit të OKB-së dhe veprimtarisë së tij në kushtet flagrante të konfliktit të interesit në çështjen në fjalë. E vërteta triumfoi: Elton Qyno veproi në përputhje me etikën dhe detyrimin kushtetues për të mbrojtur burimet dhe fjalën e lirë.
4. Vendim unanim – Një vendim i tillë nga trupa gjykuese e Gjykatës Kushtetuese nuk le vend për diskutime të tjera. Është një mesazh i qartë për të gjithë aktorët institucionalë dhe shoqërinë shqiptare.
Ky vendim do të kujtohet si një pikë kthese për lirinë e medias në Shqipëri. Respekt për Gjykatën Kushtetuese dhe të gjithë trupën gjykuese që vendosi në anën e të drejtës.