Një kapitull i ri u shtua sagës ligjore mes gazetarit investigativ Elton Qyno dhe Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ditën e sotme. Gjykata e Posaçme (GJKKO) mori një vendim të rëndësishëm, duke detyruar SPAK-un të rikthejë në posedim të gazetarit Qyno disa dokumente te sekuestruar. Ky zhvillim shënon një tjetër sukses për gazetarin në përballjen e tij me SPAK.
Pas seancës gjyqësore në GJKKO, Qyno sqaroi se bëhej fjalë për 54 fletë të sekuestruara gjatë një kontrolli të ushtruar në banesën e tij në dhjetorin e vitit 2023. Sipas Qynos, pavarësisht një vendimi të Gjykatës së Lartë, datë 16 dhjetor 2024, që urdhëronte kthimin e sendeve të sekuestruara, SPAK kishte refuzuar t’i kthente.
Gazetari theksoi se kishte dërguar një kërkesë zyrtare kryeprokurorit të SPAK, Altin Dumani, për kthimin e materialeve të tjera të pakthyera ende. SPAK refuzoi këtë kërkesë përmes një shkrese zyrtare, ndaj gazetari iu drejtua gjykatës. Sot, GJKKO i dha të drejtë gazetarit dhe gjyqtari urdhëroi kthimin e dokumenteve.
Avokati i gazetarit, Dorian Matlija, e vlerësoi vendimin e sotëm si “përmbylljen” e një procesi të tejzgjatur. Ai e konsideroi vendimin e sotëm si kapitullin e fundit pas asaj që ndodhi në Gjykatën Kushtetuese, e cila e vlerësoi të gjithë procesin antikushtetues. Avokati Matlija kujtoi se më herët, Gjykata e Lartë kishte dhënë urdhër që materialet e sekuestruara t’i ktheheshin gazetarit Elton Qyno, duke argumentuar se nuk kishte më asnjë justifikim kohor për t’i mbajtur ato. Megjithatë, SPAK kishte refuzuar t’i dorëzonte dokumentet, me arsyetimin se ato ishin siguruar në mënyrë të paligjshme dhe ishin pjesë e dosjes hetimore. Por, me vendimin e fundit, GJKKO i dha fund kësaj çështjeje, duke theksuar se mënyra se si gazetari i kishte siguruar materialet nuk kishte rëndësi. Sipas gjykatës, thelbësore ishte e drejta e gazetarit për t’i pasur dhe disponuar ato, si pjesë e punës së tij investigative.
Sipas avokatit, ky vendim i fundit përforcon edhe më tej standardet e mbrojtjes së gazetarëve. Ai shpjegoi se, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që garantonte ruajtjen e burimit, sot u vendos edhe një standard tjetër të rëndësishëm që është “e drejta për arkivën” e gazetarit, ku edhe në rast se gazetari ka siguruar materiale në mënyra “jo konvencionale”, ai ka të drejtë t’i disponojë ato. Avokati e përgëzoi gjykatën për vendimin e drejtë, duke e cilësuar atë si një shenjë pozitive që tregon se sistemi gjyqësor është i aftë të reflektojë dhe të mbrojë lirinë e shprehjes.
Më 22 prill, Gjykata Kushtetuese mori një vendim të rëndësishëm në favor të gazetarit Elton Qyno në lidhje me rrezikimin e konfidencialitetit të burimeve, duke rrëzuar SPAK. Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, vendimet gjyqësore që rrezikonin zbulimin e burimit të informacionit u cilësua antikushtetues për sa kohë prokuroria nuk kishte hetuar personat që ishin përgjegjës për rrjedhjen e materialeve nga dosja, dhe u vendos asgjësimi i kopjeve që SPAK i kishte bërë pajisjeve digjitale të gazetarit.