Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë ka vendosur të lërë në fuqi vendimin e Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, duke rrëzuar rekursin e paraqitur nga Prokuroria e Posaçme.
Prokuroria kishte kërkuar rikthimin e masës së sigurimit “detyrimi për t’u paraqitur” ndaj gazetarit Elton Qyno. Gjykata e Apelit kishte argumentuar se artikujt e publikuar nuk ishin në kundërshtim me detyrimet e profesionit dhe i shërbenin interesit publik. Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë mbështeti këtë qëndrim, duke vlerësuar se provat nuk mjaftojnë për të vendosur një masë sigurimi personal.
Sipas vendimit, në rastin e lajmeve të cituara nga prokuroria e të referuara nga gjykata, nuk ka një analizë të mirëfilltë nëse gazetari Elton Qyno ka ndërhyrë në këto lajme, ka publikuar të dhëna jo të vërteta apo nëse pas marrjes së ndonjë përfitimi të parregullt siç pretendon akuza, lajmi është fshirë apo është ndryshuar pjesërisht apo tërësisht.
Gjykata e Lartë theksoi rëndësinë e mbrojtjes së lirisë së shprehjes dhe lirisë së shtypit, të garantuara nga Kushtetuta dhe praktika e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut.
Res Publica