Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë po konfirmohet si një mburojë e fortë për qytetarët e Tiranës përballë vendimeve të kontestuara të Bashkisë së Tiranës. Vetëm gjatë muajve të fundit, tre raste të ndryshme, të ndjekura nga avokatët e qendrës “Res Publica”, tregojnë qartë këtë prirje.
Në zonën e Kombinatit, Gjykata ka rrëzuar për të disatën herë një tentativë të Bashkisë për të shembur pallate me pretekstin e dëmtimeve nga tërmeti i vitit 2019. Pas pallatit në rrugën “Mihal Grameno”, edhe pallati nr. 136 në Rrugën e Qelqit i shpëtoi shkatërrimit falë vendimit të gjykatës, duke e çuar në 18 numrin total të rasteve ku gjykata ka kundërshtuar vendimet e Bashkisë për shembje, duke vërtetuar se vlerësimet e dëmtimeve nga ana e Bashkisë shpeshherë rezultojnë të gabuara.
Një tjetër fitore e rëndësishme u shënua në lidhje me praktikën e re të Bashkisë për të iniciuar rikonstruksione të detyruara. Pas pezullimit të punimeve në pallatin nr. 3/1 në rrugën “Ali Ndroqi”, ku Bashkia kishte nisur rikonstruksionin me procedura të parregullta, Gjykata Administrative pezulloi edhe nisjen e punimeve në pallatin nr. 116 në rrugën “Muhamet Gjollesha”. Ky vendim i jep siguri banorëve se banesat e tyre nuk do të preken deri në një vendim përfundimtar gjyqësor.
Këto vendime të njëpasnjëshme të Gjykatës Administrative tregojnë një ndërgjegjësim në rritje të qytetarëve për të drejtat e tyre dhe gatishmërinë e gjykatës për t’u dhënë atyre të drejtë përballë veprimeve të Bashkisë që shpeshherë ngrenë pikëpyetje ligjore dhe etike. Qendra “Res Publica”, përmes mbështetjes ligjore, po luan një rol kyç në këtë proces, duke ndihmuar qytetarët të mbrojnë pronën dhe të drejtat e tyre. Këto fitore shërbejnë si një mesazh i qartë për Bashkinë Tiranë për të ndaluar praktikat abuzive dhe për të respektuar ligjin, ndërsa lufta për të drejtat e qytetarëve vijon.