Më 5 nëntor 2026, Qendra “Res Publica”, në bashkëpunim me Komitetin Shqiptar të Helsinkit (KShH), Shoqatën Ornitologjike të Shqipërisë (AOS), Qendrën për Ruajtjen e Ekosistemeve Natyrore në Shqipëri (EcoAlbania) dhe grupet studentore “Studentët n’ Protestë” dhe “Revolucioni Studentor”, kanë depozituar në Gjykatën Kushtetuese tre ankime kushtetuese kundër akteve të miratuara nga qeveria më 28 tetor 2026.
Ankimet kundërshtojnë Aktin Normativ nr. 5, Aktin Normativ nr. 6 dhe VKM-në nr. 815/2026, të cilat, sipas kërkuesve, përbëjnë një ndërhyrje serioze në ushtrimin e lirive dhe të drejtave demokratike, veçanërisht të së drejtës kushtetuese për tubim dhe protestë.
Përmes këtyre ankimeve, organizatat e shoqërisë civile dhe grupet studentore i kërkojnë Gjykatës Kushtetuese të shqyrtojë pajtueshmërinë e akteve me Kushtetutën dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ), duke argumentuar se kufizimet e vendosura cenojnë thelbin e të drejtave dhe lirive themelore.

Shoqatat: Kufizimi i protestës rrezikon të dobësojë themelet e rendit demokratik
Në letrën shoqëruese drejtuar Gjykatës Kushtetuese, Res Publica dhe organizatat bashkëpunuese theksojnë se aktet e kundërshtuara nuk mund të shihen të shkëputura nga konteksti politik dhe institucional në të cilin janë miratuar.
Sipas tyre, në një kohë kur besimi i qytetarëve te funksionimi normal i institucioneve është tronditur, kufizimi i hapësirës për protestë paqësore ngre dyshime serioze se synimi nuk është thjesht rregullimi i ushtrimit të një të drejte, por rritja e kostos së demokracisë dhe imponimi gradual i një rendi me tipare regjimi.
Organizatat paralajmërojnë se pasojat e këtyre kufizimeve shkojnë përtej cenimit të të drejtave individuale. Ngushtimi sistematik i rrugëve institucionale për shprehjen e pakënaqësisë mund të zhvendosë konfliktin shoqëror jashtë hapësirës demokratike, duke krijuar premisa që individë apo grupe të kërkojnë zgjidhje përmes përballjeve jashtëinstitucionale, në vend të mjeteve paqësore dhe kushtetuese.
Një shqetësim i veçantë lidhet me brezin e ri. Në letrën drejtuar Gjykatës, organizatat theksojnë se të rinjtë po e nisin jetën e tyre qytetare jo përmes ndërveprimit me institucionet demokratike, por përmes përballjes me forca policore me uniforma pa elemente identifikuese, çka e vështirëson edhe identifikimin dhe ndëshkimin e mundshëm të shkeljeve.
Në këtë kontekst, ato nënvizojnë se paqja kushtetuese nuk nënkupton thjesht mungesën e dhunës, por besimin se konfliktet mund të zgjidhen brenda rendit demokratik. Sipas tyre, ky besim është sot rëndë i cenuar.
Duke vlerësuar se mekanizmat e tjerë institucionalë nuk kanë arritur të garantojnë këtë ekuilibër, organizatat i drejtohen Gjykatës Kushtetuese si institucionit të fundit nga i cili pritet një ndërhyrje efektive për të parandaluar përshkallëzimin e situatës. Ato kërkojnë që çështja të shqyrtohet me urgjencën që kërkojnë rrethanat, duke theksuar se nuk i kërkohet Gjykatës të zgjidhë një konflikt politik, por të parandalojë shndërrimin e tij në krizë të vetë rendit kushtetues.
Studentët: Të kundërshtosh pushtetin nuk duhet të jetë faj
Në deklaratën e tyre publike, grupet studentore “Studentët n’ Protestë” dhe “Revolucioni Studentor”, të cilat kanë qenë në ballë të protestave të zhvilluara gjatë muajve maj dhe tetor 2026, e cilësojnë paketën e miratuar nga qeveria si një përpjekje për të ngushtuar hapësirën demokratike dhe për të frikësuar qytetarët që zgjedhin të kundërshtojnë padrejtësitë përmes protestës.
Studentët evidentojnë problematikat që, sipas tyre, sjell secili prej akteve:
- Akti Normativ nr. 5/2026 u jep policisë kompetenca për të ndaluar ose kufizuar protestat pranë institucioneve, për të larguar qytetarët nga të ashtuquajturat “zona të mbrojtura”, për të kërkuar fshirjen e postimeve në rrjetet sociale dhe për të vendosur gjoba deri në 500 mijë lekë, ekuivalente me dhjetë paga minimale.
- Akti Normativ nr. 6/2026 parashikon përgjegjësi solidare të organizatorëve për dëmet e shkaktuara nga persona të tjerë gjatë protestave të tetorit, si dhe vendos gjoba për sjellje të kryera përpara se këto sanksione të ekzistonin.
- VKM-ja nr. 815/2026 krijon një regjistër policor pranë prokurorisë, i cili, sipas studentëve, mund të përdoret për t’i refuzuar një personi daljen nga vendi pa vendim gjykate, për të njoftuar autoritetet e shtetit ku ai udhëton, si dhe hotelet ku mund të qëndrojë.
Studentët vënë në dukje kontradiktën mes deklarimeve të qeverisë se kjo paketë synon të mbrojë protestën paqësore dhe të garantojë përgjegjësi individuale, dhe përmbajtjes së akteve, të cilat, sipas tyre, rrezikojnë të ndëshkojnë edhe persona që nuk kanë ushtruar dhunë.
Në deklaratën e tyre, ata shprehen:
“Një brez i tërë të rinjsh po e nis jetën përballë një shteti që, në vend që t’u garantojë hapësirë për debat, kundërshtim e pjesëmarrje demokratike, u përgjigjet me dhunë e frikë. Nuk duam të rritemi duke mësuar se të kundërshtosh pushtetin është faj dhe se pjesëmarrja në protestë është arsye për t’u trajtuar si armik.”
Përveç kërkesës për shqyrtimin me përparësi të ankimeve dhe pezullimin e dispozitave të kundërshtuara deri në marrjen e vendimit përfundimtar, studentët sqarojnë se ankimi kushtetues nuk humbet objektin edhe në rast se Kuvendi i miraton aktet normative. Për këtë arsye, i kanë kërkuar Gjykatës që kontrolli kushtetues të shtrihet edhe mbi ligjet miratuese.
Argumentet kryesore për antikushtetutshmërinë e akteve
Në tërësinë e tyre, ankimet parashtrojnë disa shkaqe për të cilat aktet e kundërshtuara vlerësohen si të papajtueshme me Kushtetutën dhe standardet e KEDNJ-së.
A. Tejkalimi i kompetencave dhe mungesa e urgjencës – Neni 101 i Kushtetutës
Kërkuesit argumentojnë se Këshilli i Ministrave ka tejkaluar kompetencën kushtetuese për nxjerrjen e akteve normative me fuqinë e ligjit, pasi nuk janë përmbushur kushtet kumulative të nevojës dhe urgjencës objektive.
Sipas tyre, fakti që Kuvendi ka qenë në funksionim të plotë dhe ka shqyrtuar akte të tjera ligjore brenda afateve të shkurtra dëshmon se nuk ka pasur pamundësi objektive për ndjekjen e procedurës së zakonshme parlamentare.
B. Cenimi i sigurisë juridike dhe i parimit të ligjshmërisë
Ankimet evidentojnë se krijimi i një regjimi paralel të kundërvajtjeve administrative dhe veprave penale për të njëjtat sjellje krijon pasiguri mbi natyrën e përgjegjësisë që mund t’i ngarkohet qytetarit.
Gjithashtu, parashikimi i gjobave fikse dhe mungesa e kritereve të qarta për përcaktimin e sjelljeve të ndaluara, si “thirrjet për dhunë” apo “fshehja e identitetit”, cenojnë parashikueshmërinë e ligjit dhe krijojnë hapësirë për zbatim arbitrar.
C. Kufizimi joproporcional i lirisë së tubimit dhe shprehjes
Sipas kërkuesve, kufizimet territoriale pranë institucioneve, pa përcaktuar një distancë maksimale të qartë, si dhe krijimi i “zonave të mbrojtura” nga këshillat bashkiakë, rrezikojnë të zhvlerësojnë funksionin e protestës si mjet komunikimi me autoritetet publike.
Në të njëjtën kohë, ndërhyrjet në komunikimet private dhe elektronike, si dhe ruajtja pa afate të përcaktuara e të dhënave audiovizuale, ngrejnë shqetësime serioze për cenimin e privatësisë. Këto masa mund të krijojnë një efekt frenues (chilling effect), duke i dekurajuar qytetarët të ushtrojnë të drejtën e tyre për protestë.
D. Cenimi i parimit të barazisë para ligjit
Ankimet kundërshtojnë trajtimin e njëjtë të bllokimeve të rrugëve, pavarësisht kohëzgjatjes apo intensitetit të tyre, si dhe sanksionimin e posaçëm të pengimit të qarkullimit kur ai ndodh gjatë një tubimi.
Sipas kërkuesve, ky trajtim krijon një diferencim të pajustifikuar mes ushtrimit të së drejtës kushtetuese për protestë dhe sjelljeve të tjera që mund të shkaktojnë pengesa në qarkullimin e zakonshëm urban.
E. Mungesa e një mjeti juridik efektiv dhe cenimi i procesit të rregullt ligjor
Një tjetër shqetësim lidhet me mungesën e një mekanizmi efektiv për kontrollin gjyqësor në kohë të masave kufizuese.
Meqenëse urdhrat e policisë për kufizimin e protestës ose largimin e qytetarëve mund të kenë një kohëzgjatje prej 48–72 orësh, ndërsa ankimi ndaj tyre nuk sjell automatikisht pezullimin e zbatimit, ndërhyrja e gjykatës mund të ndodhë pasi masa të ketë përfunduar efektin e saj. Në këto kushte, mbrojtja gjyqësore rrezikon të mbetet vetëm formale dhe joefektive në praktikë.
Çfarë kërkohet nga Gjykata Kushtetuese?
Përmes ankimeve të depozituara, kërkuesit i drejtohen Gjykatës Kushtetuese me këto kërkesa kryesore:
- Shfuqizimin e plotë të Aktit Normativ nr. 5/2026 dhe shfuqizimin e pjesshëm të VKM-së nr. 815/2026, si të papajtueshme me Kushtetutën dhe KEDNJ-në.
- Pezullimin e zbatimit të dispozitave më problematike deri në marrjen e vendimit përfundimtar, përfshirë kufizimet territoriale, urdhrat e largimit me afat 48-orësh, regjistrin kufitar dhe gjobat e larta.
- Shqyrtimin e çështjes me përparësi dhe urgjencë, duke marrë parasysh pasojat e mundshme të rënda dhe të pariparueshme që këto masa mund të sjellin për ushtrimin e të drejtave dhe lirive demokratike.
Për kërkuesit, kjo çështje shkon përtej kundërshtimit të disa akteve të veçanta. Ajo lidhet drejtpërdrejt me garantimin e hapësirës demokratike, mbrojtjen e së drejtës për protestë dhe ruajtjen e mundësisë që qytetarët të kërkojnë llogari nga institucionet pa u përballur me kufizime joproporcionale.
Res Publica
