Opinion per ndryshimet ne Kodin Penal me qellim kriminalizimin e shpifjes ndaj zyrtareve

Filed under: Lajme te reja,Opinione |

AnimalFarm1Në media dhe në faqen e internetit të Kuvendit jemi njohur se pranë tij është paraqitur një projektligj i cili synon të ndryshojë Kodin Penal duke shtuar një vepër penale me titull “Shpifja ndaj një funksionari të lartë shtetëror ose të zgjedhur”. Projektligji shoqërohet me një relacion shpjegues, dhe ndaj këtyre dy dokumentave shprehim shqetësimin tonë, duke e cilësuar si një hap të madh mbrapa për lirinë e shprehjes, të rrezikshëm për demokracinë, dhe të pavend në një shoqëri demokratike. Shprehemi në këtë mënyrë për arsyet e mëposhtme:

 

  1. Arsyeja e dhënë nga propozuesi (Kryeministri) është e një natyre paternaliste dhe kundër frymës së nenit 10/2 të KEDNJ

Relacioni shprehet:

“Pështjellimi, që “denoncime” të tilla shpifëse shkaktojnë në opinionin shoqëror, është i tillë që cenon maksimalisht dhe mbi të gjitha ndjenjën e sigurisë dhe të besimit që shteti nëpërmjet përfaqësueve të tij më të lartë shtetërorë përçon dhe ka për detyrë të përçojë te qytetarët.”

Kjo arsye është shprehje e një qajseje paternaliste, ku Kryeministri merr përsipër rolin e garantuesit të ndjenjës së sigurisë që duhet të përcillet nga shteti te qytetarët dhe kërkon ta veshë këtë qasje me vullnet legjislativ. Aktet ligjore që kufizojnë lirinë e shprehjes duhet të jenë në përputhje me pikën 2 të nenit 10 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e cila nuk përmban një referencë të qartë se ku të mund të përfshihet edhe motivi i mësipërm Kryeministrit, dhe me kusht që të mos jetë adresuar ende nga kuadri ligjor aktual.

 

  1. Nuk është e vërtetë që kjo zgjidhje është dhënë në legjislacionet e vendeve të më të zhvilluara të Bashkimit Evropian

Relacioni shprehet:

“Pikërisht sjellje të tilla, njësoj si në legjislacionet e vendeve më të zhvilluara të Bashkimit Evropian, si Francë, Itali, nuk mund të shpërfillen, përkundrazi nevojitet të sanksionohen qartë dhe përfundimisht në Kodin Penal.”

Së pari, duhet të vëmë në dukje se Italia dhe Franca, së bashku me Turqinë, apo Spanjën, janë vendet më të kritikuar për këtë aspekt nga Këshilli i Evropës, OKB dhe OSBE.

Së dyti, Franca ka pasur dënimin me burgim vetëm për fyerjen e Presidentit (kujtojmë këtu që Franca është Republikë gjysëmpresidenciale). Në vitin 2013, pasi Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut në cështjen Eon kundër Francës (Aplikimi nr. 26118/10, datë 14.06.2013) e cilësoi shkelje të lirisë së shprehjes dënimin me burgim të Hervé Eon, i cili mbante në dorë një pankartë fyese nga Presidentit Nikola Sarkozi (i pari president francez që në dekada ka kërkuar të aplikohet një dënim i tillë, pasi François Mitterrand dhe Jacques Chirac nuk e kanë përdorur kurrë atë). Menjëherë pas këtij vendimi nisi një proces rishikues i Kodit Penal për të hequr këtë rudiment. Pas ndryshimit të Kodit Penal Francez në Korrik 2013, fyerja ndaj zyrtarëve të lartë mbeti e dënueshme me gjobë, por edhe kjo masë është kritikuar nga organizmat më të rëndësishëm ndërkombëtarë.

Së treti, Italia e ka hequr dënimin me burgim për shpifjen në vitin 2014. Në një artikull të përbashkët të botuar në “Corriere della Sera”, më 8 qershor 2014, Komisioneri i Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut, Raportuesi Special i Kombeve të Bashkuara për Promovimin dhe Mbrojtjen e të Drejtës për Lirinë e Mendimit dhe të Shprehjes dhe Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias, duke përshëndetur heqjen e dënimeve me burgim për shpifje, kritikuan gjithashtu projektligjin italian për shpifjen, për shkak të rritjes së gjobave monetare të dënimit. Duke e konsideruar këtë një mundësi të madhe për Italinë për të riparuar ndjeshëm kuadrin e vet anakronik ligjor për shpifje, ata i bën thirrje Senatit Italian për të ndryshuar projektligjin dhe të dekriminalizojnë plotësisht shpifjen.

Pa dashur të zgjatemi me një vazhdë tepër e gjatë vendimesh të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, duket qartë se standardet më të larta që janë të përshtatshme për një shoqëri demokratike nuk gjenden në Itali dhe Francë.

Përdorimi i këtyre dy vendeve duket se duket se është bërë për qëllime sugjestionimi për shkak të emrit të madh që këto dy shtete përfaqësojnë në arenën ndërkombëtare, por e themi me bindje se janë dy prej “deleve të zeza” të lirisë së shprehjes në Bashkimin Evropian.

 

  1. Sipas standardeve ndërkombëtare shpifja duhet të dekriminalizohet tërësisht, dhe zyrtarët e lartë nuk mund të gëzojnë mbrojtje më të madhe ligjore se shtetasit

Në raportin e vitit 2002 mbi lirinë e medias në Shqipëri, Human Rights Ëatch arriti në përfundimin se dënimet gjyqësore për shpifje bien ndesh me aktet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe përbëjnë një kërcënim në rritje ndaj lirisë së medias dhe debatit publik në Shqipëri. Sipas raportit, paditë për shpifjen, në gjykatën penale dhe civile janë bërë një armë e preferuar e politikanëve shqiptarë për të parandaluar kritikat dhe raportimet e gazetarëve. Sot shumë profesionistë të medias në Shqipëri ngrenë shqetësimin se gjërat nuk kanë ndryshuar.

 

Perspektivat ndërkombëtare

Rezoluta 1577 (2007) “Drejt dekriminalizimit të shpifjes”, miratuar më 4 tetor 2007 nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës (PACE), është një nga instrumentet kryesore për vendosjen e standardeve në fushën e dekriminalizimit të shpifjes. Në këtë rezolutën, PACE i bëri thirrje shteteve anëtare të garantonin të mos keqpërdorim procedurat penale për shpifje dhe se duhet të shfuqizonin çdo dispozitë ligjore që ofron një mbrojtje të privilegjuar për figurat publike. Gjithashtu shteteve i është kërkuar që të vendosin kufij të arsyeshëm për dëmshpërblimet, me qëllim që të mos rrezikohet pozita e medias. Për më tepër, ligjet duhet të japin garancitë e duhura për ankimimin ndaj atyre dëmshpërblimeve, që janë në shpërpjesëtim me dëmin e vërtetë moral të pësuar nga paditësi.

Rezoluta e PACE ka shërbyer si burim frymëzimi për Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut gjatë shqyrtimit të përputhshmërisë së dënimeve të gazetarëve për shpifje, me nenin 10 të Konventës që mbron të drejtën e lirisë së shprehjes. Në jurisprudencën e kësaj gjykate ekziston një trend i fuqishëm drejt dekriminalizimit të plotë të shpifjes. Sipas Përfaqësuesit të OSBE-së për Lirinë e Medias, 15 nga 57 shtetet pjesëmarrëse të OSBE-së kanë si qëllim dhe synim shfuqizimin e ligjeve penale për shpifjen ndërsa në shtetet e tjera, gjykatat vendase tashmë i kanë konstatuar si antikushtetues ligjet penale për shpifjen.

Një akt tjetër, Rezoluta 1636 (2008) e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ka miratuar “Indikatorët e medias në demokraci”, duke u shprehur si më poshtë:

“8.2. Zyrtarët e shtetit nuk duhet të gëzojnë një nivel më të lartë mbrojtjeje ndaj kriticizmit se njerëzit e zakonshëm, si për shembull me anë të ligjeve penale që parashikojnë dënime më të ashpra. Gazetarët nuk duhet të burgosen, apo mediat të mbyllen, për komentet kritike”

 

Zhvillimet ligjore në Shqipëri – sa më shumë gjërat ndryshojnë, aq më shumë qëndrojmë në të njëjtin vend?

Është tepër interesante të theksohet se reformat e fundit të vitit 2012 në legjislacionin shqiptar për shpifjen në aspektin penal dhe civil, ishin produkt i shtatë vjet lobimi nga Instituti Shqiptar i Medias dhe Open Society Justice Initiative. Pavarësisht se në parim këto ndryshime ishin pozitive, ndryshimet e ligjit penal në veçanti nuk mund të thuhet se ishin shembull modernizmi. Kështu, ligjvënësi shqiptar vendosi të mbajë në fuqi veprat penale të fyerjes dhe hoqi vetëm dënimin me burgim. Nga ana tjetër, u vu re që u rrit minimumi dhe maksimumi i dënimit me gjobë, ku maksimumi është 3 milionë lekë të reja, dhe dënimi regjistrohet në dëshminë e penalitetit të të dënuarit.

Nga vendimet e Gjykatës Europiane në dy raste, parashikohet se kjo do jetë tendenca që këto praktika do të cilësohen në kundërshtim me nenin 10 të Konventës.

Kështu në cështjen “Kasabova kundër Bullgarisë” kërkuesja ishte një gazetare e cila shkroi një artikull, ku pretendohej se ekspertët për pranimin e fëmijëve në shkollat profesionale ndiqnin praktika korruptive. Ekspertët e akuzuan gazetaren për shpifje. Gjykata penale vendase konstatoi se e akuzuara nuk kishte vepruar në përputhje me detyrat e saj si gazetare dhe e shpallën fajtore për shpifje ndaj ekspertëve. Ajo u dënua me gjobë, pagimin e shpenzimeve gjyqësore dhe të dëmeve të shkaktuara në një shumë totale prej 3797 Euro. Gjykata Evropiane vuri në dukje se shuma e përgjithshme e dëmeve, gjobat dhe shpenzimet e tjera mbi gazetaren ishte e barabartë me gati 70 fishin e pagës minimale mujore në Bullgari dhe më shumë se 35 fishin e pagës mujore të vetë gazetares. Gjykata pranoi që edhe vetëm gjoba, në shumën 1425 Euro, ishte e tepruar.

Në cështjen “Dlugolecki kundër Polonisë” gjoba ishte vetëm 120 Euro, por dënimi i gazetarit për fyerje do të regjistrohej në dëshminë e tij të penalitetit. Pikërisht ky fakt çoi Gjykatën Evropiane të evidentonte shkelje të nenit 10 të Konventës. Ky lloj dënimi, sipas Gjykatës, përbënte një lloj censure, e cila do të kishte efekt frikësues për gazetarët në përgjithësi. Për këtë arsye Gjykata Evropiane i akordoi gazetarit 3.000 euro shpërblim për dëmin moral për shkak të shqetësimit dhe frustrimit që ai kishte përjetuar. Në një rast tjetër të mëparshëm, gazetarit iu akordua 5000 euro shpërblim për dëmin moral vetëm për arsye se dënimi i tij penal me gjobë ishte regjistruar në dëshminë e penalitetit.

E thënë thjesht, rastet e mësipërme sugjerojnë se, edhe në qoftë se një gazetar shqiptar i paguar me një pagë modeste, ndonëse mund të dënohet me një gjobë simbolike (që gjë as kjo nuk po ndodh sepse dënimet në Shqipëri kanë qenë të larta), vetë fakti i regjistrimit të dënimit në dëshminë e penalitetit, do të jetë i mjaftueshëm për të shkelur nenin 10 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Kujtojmë këtu që dënimi me burgim në dispozitën e propozuar është i papërshtatshmë, tepër i lartë, dhe detyrimisht i shënueshëm në dëshminë e penalitetit. Nuk ka asnjë shanc që Gjykata Evropiane të mos e cilësojë shkelje cdo dënim në bazë të këtij neni, nëse ai miratohet.

Duke iu rikthyer kritikës së bërë nga Këshilli i Evropës, OKB dhe OSBE ndaj ligjvënësve italianë, mesazhi i dhënë në adresë të tij, i cili kishte gabuar njëlloj sic i kërkohet sot ligjvënësit shqiptar të gabojë duke mos dekriminalizuar plotësisht shpifjen dhe madje duke e rëndur më shumë situatën (duke i ngjarë më shumë Turqisë), ishte edhe për ata pak shtete që mund të kenë mbetur ende me ligje dhe mendësi anakronike.

 

  1. Nuk është e vërtetë që po tentohet të rikthehet ligji sic ishte përpara vitit 2012. Ai po tentohet përkeqësohet ndjeshëm

Neni 240 i Kodit Penal, përpara se të shfuqizohej në vitin 2012, shprehej:

“Shpifja e qëllimshme që i bëhet punonjësit që kryen një detyrë shtetërore apo një shërbim publik për shkak të veprimtarisë së tij shtetërore ose të shërbimit, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit.

Po kjo vepër, kur kryhet botërisht ose në dëm të disa personave ose më shumë se një herë, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.”

Dispozita e propozuar ka këtë përmbajtje:

“Shpifja e kryer botërisht ndaj një funksionari të lartë shtetëror apo të zgjedhur, me qëllim atribuimin atij të një fakti që parashikohet nga ligji si vepër penale, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.”

Dallimet përkeqësuese janë:

  1. Dënimi maksimal është rritur nga 2 vjet në 3 vjet.
  2. Nga kundravajtje penale është shndërruar në krim.
  3. Përsëritësit vuajnë pasoja më të rënda për shkak të konsiderimit “krim”.
  4. Rritja e këtij maksimumi dënimi dhe klasifikimi i veprës si krim legjitimon arrestimin në flagrancë.
  5. Teknika legjislative e përdorur krijon hapësirë për ekuivok. Nga ana subjektive vepra penale më përpara kryhej vetëm me dashje, ndërsa me teknikën e përdorur tani mund të konsiderohet edhe rasti i pakujdesisë, pasi nuk flitet më për “shpifje të qëllimshme”, por për “shpifje me qëllim atribuimin e një fakti që përbën vepër penale”. Atribuimi i një fakti që përbën vepër penale ka lidhje me anën objektive më shumë se me anën subjektive, duke i lënë gjykatës të kuptojë se duhet dënuar penalisht edhe një gazetar i cili e kryer krimin nga pakujdesia por që i atribuon zyrtarit të lartë një fakt që përbën vepër penale, pavarësisht se gazetari nuk ka synuar shpifjen e qëllimshme, por zbulimin e një skandali për interes të publikut dhe ka keqinterpretuar rrethanat gabimisht.
  6. Teknika legjislative e përdorur zgjeron pa të drejtë fushën e veprimit të dispozitës. Pëpara vitit 2012 shpifja duhej të kryhej për shkak të veprimtarisë shtetërore, ndërsa me dispozitën e re shpifja mjafton që të kryhet ndaj zyrtarit, pavarësisht se mund të mos ketë lidhje me veprimtarinë shtetërore. Më thjesht, do të konsiderohet objekt i kësaj vepre penale jo vetëm kur publikohen fakte të rreme për afera korruptive, por edhe fakte nga jeta private e zyrtarit, si për shembull konsumon kokainë, që nuk lidhet me detyrën shtetërore përkatëse.

 

  1. Ky projektligj nuk ka respektuar detyrimet e ligjit nr. 146/2014 “Për njoftimin dhe konsultimin publik”

Që prej muajit Maj 2015 ka hyrë në fuqi ligji nr. 146/2014 “Për njoftimin dhe konsultimin publik”. Ky ligj detyron hartuesit, në rastin konkret Kryeministrinë, që të niste një proces njoftimi dhe konsultimi publik përpara se të merrte formën finale për t’iu dërguar Kuvendit. Në dijeninë tonë dhe të gjithë spektrit të gazetarëve dhe shoqërisë civile, drafti nuk është publikuar askund dhe nuk është konsultuar me askënd.

Sa më sipër është një shkelje e rëndë e një prej standardeve positive të kësaj legjislature, e cila në muajin Nëntor 2014 miratoi një prej risive tepër positive sic ishte ligji nr. 146/2014. Mungesa e konsultimit publik ka detyruar shoqërinë civile dhe gazetarët që të reagojnë në kushte të papërshtatshme, jashtë tryezave zyrtare dhe në një kohë tepër të pavolitshme, duke sjellë pakësimin e fuqisë argumentuese kundër këtij projektligji, me impakt tepër të rëndësishëm në demokraci.

 

  1. Konkluzione

Ky projektligj përfaqëson një standard të përkeqësuar dhe regresi i të drejtave në këtë rast është edhe një shkelje tjetër e të drejtave të njeriut, përvec sa përmendëm më lart.  Mentaliteti që ka shërbyer si bazë për këtë nismë është duke u tejkaluar kudo në Evropë sot, sepse është kundër nevojave të një shoqërie demokratike.

Nëse, në ndryshim nga propozuesi, mazhoranca qeverisëse sot nuk ka problem me mendësinë, atëherë nuk i mbetet shumë punë për t’i kthyer propozuesit një përgjigje korrekte me votën kundra, në shërbim të hapësirës së duhur të lirisë shprehjes.

 

Res Publica

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *