Përplasje në qeveri: Ministri i Drejtësisë nuk ishte dakord me Ministrin e Brendshëm për procedimin e 66 rasteve të shkeljeve nga gjyqtarët

Filed under: Lajme te reja,Opinione |

nishani-tahiri-565x348Të gjithë e mbajmë mend se si Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri në Prill 2014 denoncoi publikisht 66 raste abuzimi nga gjyqtarët dhe kërkoi nga Presidenti i Republikës që ata të procedoheshin në Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Jo vetëm ministri Tahiri, por edhe Kryeministri Rama i përsëriti këto denoncime kur fliste kundër gjyqtarëve të korruptuar.

Sot, pas më shumë se një viti asnjë nga këto denoncime nuk shkoi në KLD. Arsyet i bën të ditura Ministri i Drejtësisë, i cili nuk mendon njëlloj si Ministri i Brendshëm. Për Ministrinë e Drejtësisë asnjë nga rastet e raportuara nga Sajmir Tahiri nuk përbën shkak për të kërkuar procedimin disiplinor të gjyqtarëve.

Res Publica u interesua që në momentet e para të bërjes publike të këtij denoncimi. Kush e njeh ndopak ligjin për pushtetin gjyqësor e di që Presidenti vërtet është kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, por nuk ka asgjë në dorë për të proceduar gjyqtarët e korruptuar. Këtë të drejtë, pra atë të nisjes së një procedimi në KLD, e ka vetëm Ministri i Drejtësisë. Nga informacionet zyrtare Presidenti i Republikës i kishte dërguar materialet Ministrit të Drejtësisë për veprime të mëtejshme (sipas ligjit).

Më pas, Res Publica pyeti Ministrin e Drejtësisë se cfarë ishte bërë për këto denoncime dhe përgjigja ishte që për një rast cështja ishte dërguar në KLD (për disa arsye të tjera nga ato që pretendonte Ministri i Brendshëm) dhe për 14 raste ishte bërë verifikimi i tyre. Për 51 rastet e tjerë nuk është kryer ndonjë veprim.

Në Maj 2015, gjatë prezantimit të një raporti për pandëshkueshmërinë e gjyqtarëve në KLD, të përgatitur nga Res Publica, përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë u shprehën se nga verifikimet e kryera për denoncimet e Ministrit të Brendshëm u gjetën vetëm 5 raste me shkelje të lehta, të cilat nuk ishin dërguar në KLD, por që të do mbaheshin parasysh në të ardhmen në rast se gjyqtarët do të bënin edhe shkelje të tjera. Kjo gjë ndodh zakonisht kur shkeljet janë aq të lehta sa ndaj tyre nuk mund të marrësh asnjë masë, qoftë edhe “vërejtje”.

Sa më sipër, vuri në pah një ngjarje tepër  të pakëndshme, ku publikut i thuhet me zë të lartë nga Ministri i Brendshëm dhe Kryeministri se janë zbuluar 66 raste gjyqtarësh që shkelin ligjin, ndërkohë që kur verifikohet nga organi kompetent, Ministri i Drejtësisë, rezulton një alarm fals dhe kjo gjë nuk bëhet publike.

Kjo mospërputhje mendimesh mes anëtarëve të të njëjtës qeveri, ku njëra palë shprehet se në gjyqësor po bëhet nami, ndërsa pala tjetër e trajton këtë si ekzagjerim, duhej bërë publike. Kjo është një mospërputhje e dukshme mes asaj që Qeveria deklaron publikisht, dhe asaj që Qeveria ndjek zyrtarisht. Nëse është e vërtetë që në 66 raste ka shkelje nga ana e gjyqtarëve, Qeveria duhet të vepronte shpejt. Nëse Ministri i Drejtësisë është i mendimit që këto çështje nuk duhet të ndiqeshin sepse mungojnë elementët për të kërkuar procedimin të gjyqtarëve, atëherë Qeveria duhej më së paku të qetësonte publikun që numri i shkeljeve nuk prekte një numër aq të madh gjyqtarësh.

Nuk mund të kenë të drejtë të dyja palët. Ose duhet thënë që Ministri i Brendshëm dhe Kryeministri shprehen kot, sa për sy e faqe, dhe rëndojnë pa të drejtën pozitën e gjyqtarëve pa pasur fakte konkrete, ose Ministri i Drejtësisë është i korruptuar dhe mbron gjyqtarët e korruptuar të kapur me presh në duar nga Ministri i Brendshëm. Rrugë të mesme vështirë të ketë.

Res Publica

One Response to Përplasje në qeveri: Ministri i Drejtësisë nuk ishte dakord me Ministrin e Brendshëm për procedimin e 66 rasteve të shkeljeve nga gjyqtarët

  1. shume e drejte

    qerim belortaja
    06/05/2016 at 23:06
    Reply

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *