Res Publica fiton një tjetër gjyq për të drejtën e informimit. Tashmë është Gjykata Administrative e Apelit që përmirëson standardet

Filed under: Lajme te reja,Vendime Gjykate |

confidentialPas një lufte të gjatë me Ministrinë e Mbrojtjes dhe fitores së saj të përkohshme në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, tashmë Gjykata Administrative e Apelit i ka dhënë të drejtë qendrës Res Publica. Gjykata dhe ka  prishur vendimin e shkallës së parë duke pranuar padinë dhe detyruar Ministrinë e Mbrojtjes që të japë dokumentat e kërkuara nga Res Publica.

Më 17 Tetor 2013, Res Publica i kërkoi Ministrisë së Mbrojtjes informacion në lidhje me shumën e shpenzuar nga institucioni për reklamat për vitet 2009, 2010, 2011, 2012 dhe 2013, si dhe listën e shoqërive tregtare që janë paguar për spotet audiovizive, përfshirë produksionin dhe transmetimin ose publikimin.

Ministria e Mbrojtjes heshti ndaj kësaj kërkese, si dhe ndaj ankimit administrativ të paraqitur në Nëntor 2013. Për këtë arsye Res Publica iu drejtua gjykatës.

Gjatë shqyrtimit gjyqësor Ministria e Mbrojtjes refuzoi dhënien e informacionit me argumentimin se ai përbënte “sekret hetimor”, pasi dosja e reklamave të vitit 2013 ishte duke u hetuar nga prokuroria. Ky argument nuk vlente, por Gjykata Administrative e Shkallës së Parë më 16 Prill 2014 i dha të drejtë Ministrisë së Mbrojtjes dhe rrëzoi padinë.

Res Publica, e bindur që ky vendim ishte i gabuar, u ankua në Gjykatën Administrative të Apelit, e cila vendosi prishjen e vendimit dhe pranimin e padisë duke detyruar Ministrinë e Mbrojtjes të japë informacionin të kërkuar.

Pavarësisht kohëzgjatjes së këtij procesi gjyqësor, tashmë një gjykatë e një niveli më të lartë konfirmoi se e drejta e informimit është një e drejtë kushtetuese dhe dhënia e informacionit përbën detyrim ligjor. Ky vendim është një leksion i mirë demokracie për Ministrinë e Mbrojtjes dhe një leksion shteti ligjor për gjykatën e shkallës së parë për kërkesa të ngjashme në të ardhmen.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *