Ne muajt prillit dhe maj 2025, në kuadër të projektit “Promovimi i etikës dhe vetërregullimit në mediat lokale. Sfidimi i dezinformimit”, mbështetur nga Bashkimi Evropian, implementuar nga Instituti i Medias në Shqipëri, ekipi i Res Publica dhe Këshillit të Medias, bëmë vizita në Shkodër dhe Vlorë, dy qytete ku media lokale punon shpesh në kushte të vështira, por me një dëshirë të sinqertë për të bërë gazetari profesionale. Tryezat dhe fokus grupet e zhvilluara me gazetarë, redaktorë dhe përfaqësues të shoqërisë civile nxorën në pah një tablo të qartë, që etika vlerësohet, por shpesh mbetet përgjegjësi individuale për shkak të mungesës së strukturave, presioneve ekonomike dhe rolit të brishtë të redaksive të vogla.
Megjithatë, mes sfidave u pa një element i fortë shprese, një gatishmëri për ndryshim. Gazetarët kërkuan mjete praktike, udhëzues të thjeshtë, trajnim në redaksi dhe më shumë lidhje me rrjetet kombëtare të vetërregullimit. Shkodra tregoi një traditë të konsoliduar bashkëpunimi, ndërsa Vlora shfaqi nevojë më të madhe për mbështetje bazike, por edhe energji të re nga gazetarët e rinj.
Raporti që publikon sot Res Publica tregon se vetërregullimi nuk është i pamundur. Përkundrazi, ai është i dëshiruar, por kërkon mbështetje të vazhdueshme, mjete konkrete dhe një qasje që i përgjigjet realitetit të mediave lokale. Ky proces ka nisur dhe do të vijojë, me synimin për të ndërtuar një kulturë etike të qëndrueshme që i shërben jo vetëm gazetarit, por edhe publikut dhe demokracisë lokale.

