Në Librazhd u zhvillua aktiviteti i lançimit të projektit PAMANCA – Protected Areas Matter, Advocating for Nature Conservation in Albania, një projekt i financuar nga Bashkimi Europian dhe i zbatuar nga EcoAlbania, Res Publica dhe Forumi i Mendimit të Lirë.
Aktiviteti mblodhi në një tryezë të rrumbullakët përfaqësues të organizatave zbatuese, komuniteteve lokale, institucioneve publike dhe medias, me synimin për të diskutuar mbi problematikat që lidhen me mbrojtjen dhe administrimin e zonave të mbrojtura në Shqipëri.
Në takim morën pjesë përfaqësues nga Bashkia Elbasan, Bashkia Librazhd, Administrata Rajonale e Zonave të Mbrojtura Elbasan, organizata të shoqërisë civile dhe gazetarë. Diskutimi u përqendrua në zbatimin e legjislacionit për zonat e mbrojtura, evidentimin dhe denoncimin e shkeljeve, si dhe mekanizmat institucionalë dhe ligjorë për ndjekjen e tyre.
Pas prezantimit të objektivave dhe aktiviteteve të projektit PAMANCA, pjesëmarrësit ndanë eksperiencat e tyre nga puna në terren dhe evidentuan problematika konkrete në qeverisjen e zonave të mbrojtura. Gjithashtu, u diskutuan rekomandime për forcimin e bashkëpunimit mes institucioneve, komuniteteve lokale, organizatave të shoqërisë civile dhe medias.
Projekti PAMANCA synon të kontribuojë në rritjen e transparencës, pjesëmarrjes publike dhe llogaridhënies në vendimmarrjen mjedisore, si dhe në forcimin e mekanizmave për mbrojtjen efektive të natyrës dhe zonave të mbrojtura në Shqipëri.
Projekti financohet nga Bashkimi Europian dhe zbatohet nga EcoAlbania, Res Publica dhe Forumi i Mendimit të Lirë.


