Projekti PAMANCA – Protected Areas Matter, Advocating for Nature Conservation in Albania, i financuar nga Bashkimi Europian, vijoi turin e tij informues në Shkodër, duke mbledhur përfaqësues të institucioneve publike, akademisë dhe organizatave të shoqërisë civile për të diskutuar mbi qeverisjen mjedisore dhe mbrojtjen e natyrës.
Përfaqësuesit e EcoAlbania, Res Publica dhe Forumit të Mendimit të Lirë prezantuan objektivat dhe aktivitetet e projektit, ndërsa pjesëmarrësit ndanë problematikat dhe sfidat me të cilat përballen në punën e tyre të përditshme.
Në takim morën pjesë përfaqësues të Bashkisë Shkodër, përfshirë Nënkryetarin e Bashkisë Alban Preka, Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, Administratës Rajonale të Zonave të Mbrojtura Shkodër, Agjencisë Rajonale të Mjedisit Shkodër-Kukës-Lezhë, Universitetit, si dhe organizatave të shoqërisë civile.
Diskutimi u përqendrua veçanërisht në zbatimin e legjislacionit për zonat e mbrojtura, evidentimin dhe denoncimin e shkeljeve, ndjekjen institucionale të tyre dhe vështirësitë e hasura në praktikë për mbrojtjen efektive të natyrës.
Shkëmbimi i përvojave dhe diskutimi i hapur ndërmjet pjesëmarrësve evidentoi nevojën për një bashkëpunim më të fortë ndërmjet institucioneve, shoqërisë civile dhe aktorëve lokalë, si dhe për më shumë transparencë dhe llogaridhënie në administrimin e zonave të mbrojtura.
Takimi në Shkodër është pjesë e ciklit të aktiviteteve informuese të projektit PAMANCA, i cili synon të forcojë pjesëmarrjen publike dhe mekanizmat ligjorë e institucionalë për mbrojtjen e trashëgimisë natyrore të Shqipërisë.
Projekti PAMANCA financohet nga Bashkimi Europian dhe zbatohet nga EcoAlbania, Res Publica dhe Forumi i Mendimit të Lirë.


