Turi informues në kuadër të projektit PAMANCA – Protected Areas Matter, Advocating for Nature Conservation in Albania, i financuar nga Bashkimi Europian, vijoi në jug të vendit me takime të zhvilluara në Sarandë dhe Vlorë.
Në këto takime morën pjesë përfaqësues të institucioneve vendore, bashkive, Administratave Rajonale të Zonave të Mbrojtura, organizatave të shoqërisë civile dhe medias.
Diskutimet u përqendruan në sfidat që lidhen me mbrojtjen dhe administrimin e zonave të mbrojtura, zbatimin e legjislacionit në fuqi, evidentimin e shkeljeve dhe nevojën për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve publike, komuniteteve lokale dhe organizatave të shoqërisë civile.
Pjesëmarrësit ndanë përvoja dhe problematika konkrete nga zonat ku veprojnë, si dhe diskutuan mbi mënyrat se si mund të përmirësohen mekanizmat e reagimit, transparenca institucionale dhe ndjekja e rasteve që cenojnë natyrën dhe biodiversitetin.
Takimet në Sarandë dhe Vlorë janë pjesë e ciklit të aktiviteteve informuese të projektit PAMANCA, i cili synon të rrisë ndërgjegjësimin dhe pjesëmarrjen publike, të forcojë zbatimin e ligjit dhe të kontribuojë në mbrojtjen më efektive të trashëgimisë natyrore të Shqipërisë.
Projekti PAMANCA financohet nga Bashkimi Europian dhe zbatohet nga EcoAlbania, Res Publica dhe Forumi i Mendimit të Lirë.


