Kur një media nuk është thjesht media, por pjesë e një rrjeti më të gjerë interesash ekonomike, pyetja bëhet e pashmangshme: sa e lehtë është të ruhet pavarësia editoriale?
Raporti i ri i Res Publica, “Ekspozimi ekonomik i medias dhe rreziqet për pavarësinë editoriale në Shqipëri”, synon të analizojë pikërisht këtë marrëdhënie të ndërlikuar mes medias, pronësisë, biznesit, fondeve publike, kontratave, lejeve, aseteve publike dhe vendimmarrjes shtetërore.
Raporti nuk merret me gjykimin e përmbajtjes editoriale të mediave dhe nuk synon të vendosë etiketa politike. Ai shqyrton kushtet strukturore që mund ta bëjnë pavarësinë editoriale më të brishtë, sidomos në një treg të vogël dhe të përqendruar si ai shqiptar.
Përmes të dhënave të verifikueshme nga burime publike, raporti analizon pronësinë dhe kontrollin e mediave audiovizive, lidhjet e tyre me biznese të tjera, ekspozimin ndaj fondeve publike, përfitimet rregullatore, statusin strategjik, përdorimin e aseteve publike dhe marrëdhëniet ekonomike që mund të krijojnë varësi të drejtpërdrejta ose të tërthorta nga vendimmarrja shtetërore.
Fokusi kryesor është media audiovizive, për shkak të rëndësisë së saj në formësimin e opinionit publik dhe për shkak të procesit të pritshëm të ndryshimeve në ligjin për mediat audiovizive. Megjithatë, raporti trajton edhe shtrirjen online të të njëjtëve aktorë mediatikë, pasi ndikimi informues sot nuk ndalet te ekrani tradicional.
Një nga gjetjet kryesore është se tregu audioviziv kombëtar paraqitet i përqendruar në pak grupe pronësie dhe interesa ekonomike. Kjo nuk është vetëm çështje tregu, por çështje pluralizmi real. Sa më i kufizuar të jetë numri i aktorëve që kontrollojnë burimet kryesore të informimit, aq më e madhe bëhet nevoja për transparencë mbi pronësinë, financimin dhe marrëdhëniet ekonomike me shtetin.
Raporti evidenton se ekspozimi ekonomik i medias nuk ndodh vetëm përmes reklamave shtetërore apo pagesave direkte nga buxheti. Ai mund të shfaqet më i fortë përmes lejeve, kontratave, përdorimit të pasurive publike, statusit të “investitorit strategjik”, projekteve infrastrukturore, koncesioneve, PPP-ve, fondeve publike dhe vendimmarrjeve të tjera rregullatore me ndikim të madh ekonomik.
Pikërisht këtu qëndron rreziku, sepse edhe kur nuk ka prova për ndërhyrje direkte në linjën editoriale, varësitë ekonomike mund të krijojnë vetëcensurë, kujdes të tepruar, raportim selektiv ose perceptim të arsyeshëm se media nuk është plotësisht e lirë nga interesat që e rrethojnë.
Raporti sjell tipologji rastesh, indikatorë të ekspozimit dhe rekomandime konkrete për rritjen e transparencës. Ai kërkon që debati për median të mos kufizohet vetëm te pronësia formale, por të shtrihet te kontrolli real, pronarët përfitues, personat e lidhur, financimi direkt dhe indirekt dhe përfitimet ekonomike që burojnë nga vendimmarrja publike.
Në fund, pyetja kryesore mbetet: A kemi pluralizëm real, apo vetëm shumë ekrane që mund të jenë të lidhura me të njëjtat interesa ekonomike?
Ky raport është menduar si një mjet për gazetarët, studiuesit, organizatat e shoqërisë civile, institucionet rregullatore dhe vendimmarrësit që synojnë një treg mediatik më transparent, më të ndershëm dhe më të mbrojtur nga ndikimet ekonomike e politike.
Publikimi është përgatitur nga Res Publica, me mbështetjen bujare të National Endowment for Democracy (NED).
