Pas dhjetëvjetorit të ligjit nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”, viti 2025 vjen si një provë e rëndësishme për të kuptuar nëse kuadri ligjor dhe ndryshimet e fundit kanë sjellë përmirësim real në praktikën administrative.
Raporti i ri i Res Publica (kliko këtu për raportin) vijon monitorimin e përvitshëm të zbatimit të ligjit, duke analizuar transparencën proaktive, pra informacionin që institucionet duhet ta publikojnë vetë, si edhe transparencën reaktive, pra mënyrën se si ato u përgjigjen kërkesave konkrete për informacion.
Gjatë vitit 2025, Res Publica monitoroi si gjithmonë 100 autoritete publike dhe ndoqi 200 kërkesa për informacion në fusha me interes të lartë publik, si mjedisi, ndërtimi, ekonomia, drejtësia, shëndetësia dhe prokurimet publike. Të dhënat tregojnë një përmirësim të moderuar, p.sh. 65% e kërkesave morën përgjigje të plotë, 16% përgjigje të pjesshme dhe 19% mbetën pa përgjigje.
Në të njëjtën kohë, raporti evidenton se përmirësimi në shifra nuk përkthehet gjithmonë në transparencë reale. Programet e transparencës janë më të plotë, koordinatorët janë caktuar pothuajse në të gjitha institucionet dhe regjistrat e kërkesave ekzistojnë më gjerësisht. Megjithatë, informacioni shpesh mbetet i paplotë, i papërditësuar, formal ose i vështirë për t’u përdorur.
Raporti ndalet edhe te roli i Komisionerit për të Drejtën e Informimit, duke analizuar numrin e ankesave, vendimet, vonesat dhe përdorimin e sanksioneve. Gjetjet tregojnë se mekanizmi mbikëqyrës vijon të funksionojë më shumë si ndërmjetësues sesa si autoritet detyrues, ndërsa vendimmarrja dhe gjobat mbeten të kufizuara përballë shkeljeve të përsëritura.
Një pjesë e veçantë e raportit i kushtohet zhvillimeve të vitit 2025, përfshirë platformën “Transparent Albania”, Konventën e Tromsos, të dhënat e hapura, Agjencinë për Media dhe Informim, si dhe raste konkrete nga praktika administrative dhe gjyqësore. Këto raste tregojnë se problemet më të mëdha shfaqen pikërisht aty ku informacioni ka interes të lartë publik, si vendimmarrjet e qeverisë, lejet e ndërtimit, kontratat, projektet infrastrukturore, fondet publike dhe dokumentet me rëndësi për gazetarinë investigative.
Në thelb, raporti ngre një pyetje të thjeshtë. A kemi më shumë transparencë, apo vetëm më shumë fasadë transparence?
Res Publica synon që ky raport të shërbejë si një mjet për gazetarët që investigojnë, qytetarët që kërkojnë llogari, juristët që mbrojnë të drejtën e informimit dhe vendimmarrësit që duhet të garantojnë një administratë më të hapur, më të përgjegjshme dhe më pak formale në raport me publikun.
Ky raport është hartuar nga Qendra Res Publica, me mbështetjen bujare të National Endowment for Democracy (NED), si pjesë e projektit “Promovimi i lirisë së shprehjes dhe të drejtës së informimit në Shqipëri”.

