Nga rubrika “Konsultimi publik në rrugën drejt BE-së”
Raporti i Komisionit Europian 2026: Çfarë propozuam, çfarë mbeti pa zgjidhur?
Financimi i partive politike dhe transparenca e munguar
Në raportin e nëntorit 2026, Komisioni Europian kërkon një reformë gjithëpërfshirëse zgjedhore, përfshirë rregullimin e financimit të partive politike dhe transparencën e reklamave politike. Reforma duhet të zhvillohet në konsultim me aktorët e interesuar, duke marrë parasysh rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe standardet europiane.
Pikërisht transparenca e financimit politik është një çështje që Res Publica e kishte ngritur që në vitin 2015.
Gjatë konsultimeve për ndryshimet kushtetuese, propozuam që në nenin 9 të Kushtetutës të përcaktohej detyrimi i partive politike për të bërë publike burimet e financimit dhe shpenzimet e tyre çdo vit dhe brenda 30 ditëve pas zgjedhjeve parlamentare ose vendore.
Qëllimi ishte që informacioni mbi financimin e politikës të mos varej nga vullneti i partive, por të ishte një detyrim i qartë dhe i garantuar, veçanërisht në periudhat zgjedhore.
Çfarë ka ndryshuar që atëherë?
Legjislacioni shqiptar sot parashikon raportimin financiar vjetor të partive, raportimin e shpenzimeve të fushatave dhe publikimin e tyre nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Ekziston edhe një platformë elektronike për raportimin financiar.
Pra, një pjesë e rëndësishme e asaj që kërkonim në vitin 2015 është realizuar në nivel ligjor, megjithëse jo në formën e garancisë kushtetuese që kishim propozuar.
Në qershor 2026, Komisioni i Venecias, gjatë shqyrtimit të projektligjit të ri për financimin e partive politike, kërkoi që raportet të pasqyronin më qartë jo vetëm të ardhurat dhe shpenzimet, por edhe huatë, borxhet, detyrimet, kontributet në natyrë dhe transaksionet me subjektet e lidhura me partitë.
Ai evidentoi gjithashtu nevojën për raportim më të detajuar të shpenzimeve për median, reklamat në internet dhe komunikimin politik, si dhe për raportim më të shpeshtë, veçanërisht gjatë viteve zgjedhore.
Sepse një parti mund të deklarojë sa ka shpenzuar, por nëse nuk pasqyrohen plotësisht detyrimet ndaj financuesve, shërbimet e përfituara apo shpenzimet e kryera përmes subjekteve të lidhura, publiku nuk ka një pamje të plotë të financimit të saj.
Njëmbëdhjetë vjet pas rekomandimit tonë, transparenca e financimit politik është sërish objekt reforme sepse garancitë e vendosura deri tani kanë ende nevojë për përmirësim.
Kjo është edhe vlera e konsultimit publik që të mos fillojmë çdo reformë nga e para, por të shqyrtojmë çfarë është propozuar, çfarë është realizuar dhe cilat mangësi duhen korrigjuar.
Sot kemi një projektligj të ri dhe rekomandime konkrete të Komisionit të Venecias. Shpresojmë që ato të shërbejnë për të forcuar transparencën reale, jo thjesht për të shtuar detyrimet formale të raportimit.
Sepse qytetarët nuk kanë nevojë vetëm të dinë sa deklarojnë se shpenzojnë partitë. Ata kanë të drejtë të dinë kush i financon, çfarë detyrimesh krijojnë dhe çfarë interesash mund të ndikojnë te vendimmarrja politike.
Rekomandimet e Res Publica-s për ndryshimet kushtetuese, 2015
Opinioni i Komisionit të Venecias për financimin e partive politike, qershor 2026
