Bunkeri i Magjistraturës

Filed under: Lajme te reja,Opinione |

Nga: Dorian Matlija

 

1. Shkolla e Magjistraturës nuk është thjesht një shkollë ku përgatiten gjyqtarët dhe prokurorët e rinj. Ky institucion nuk të pajis thjesht me një diplomë në fund, me të cilën mund të gjesh punë ose jo. Pranimi në Shkollën e Magjistraturës të vesh automatikisht me pushtetin gjyqësor, i cili është njëri nga tre pushtetet, krahas atij legjislativ që ushtrohet nga Kuvendi dhe pushtetit ekzekutiv që ushtrohet nga Këshilli i Ministrave. Të gjithë e dimë se sa luftë e madhe bëhet për të fituar mandatin e deputetit dhe me sa mund krijohen aleancat për të votëbesuar qeverinë. Ndërsa lufta për të fituar pushtetin gjyqësor lëviz në rrethana larg syve të medias. Jo se nuk ka luftë, por vetëm se ajo nuk zhvillohet me mitingje e flamuj në duar militantësh. Ajo zhvillohet në tryeza provimesh, por është njëlloj e ethshme. Të gjithë e dimë se sa transparent është procesi i zgjedhjeve të deputetëve dhe ai i emërimit të ministrave. Ndërsa veshja me togën e zezë të gjyqtarit bëhet në terr. Thuhet shpesh që gjyqtarët i emëron KLD. Po është e vërtetë, por KLD thjesht cakton se ku do punojnë gjyqtarët, por jo se mund të emërojnë kë të duan. Gjyqtar bëhet personi që ka mbaruar Shkollën e Magjistraturës dhe një herë i pranuar në këtë shkollë, kandidati hyn në një rrugë pa kthim për t’u bërë shumë shpejt gjyqtar. Sytë e medias zakonisht fokusohen vetëm kur gjyqtarët bëjnë gjëma të mëdha, por momenti kur ata fitojnë të drejtën të jenë të tillë kalohet si pa u vënë re.

 

2. Para pak ditësh u zhvillua në Shkollën e Magjistraturës konkursi i pranimit në vitin e ri akademik 2013-2014. Morën pjesë rreth 100 kandidatë por vetëm 11 prej tyre do përzgjidheshin fitues. Kjo shkollë preferon ta quajë provim, por duhet thënë se më shumë se një provim i zakonshëm, ai që u zhvillua është një konkurs, ose më mirë le ta quajmë garë. Në këtë garë nuk fiton ai që ka marrë një numër të caktuar pikësh, por ai qe ka marrë më shumë pikë se konkurentët e tjerë.

 

Megjithëse u morën masa sigurie, nuk u garantua një procesi i rregullt konkurimi, sepse:

 

Së pari, kandidatëve nuk iu njihet e drejta e informimit mbi provimet. Sipas drejtuesve, secili kandidat mund të shohë vetëm provimin e tij (pa pasur të drejtë të marrë as një fotokopje me vete), por jo atë të kandidatëve të tjerë. Të mos bësh transparencën e provimeve të fituesve është e padrejtë sepse një kandidat nuk penalizohet vetëm kur provimi i tij është vlerësuar gabim, por edhe kur një kandidati tjetër i jepen më shumë pikë pa të drejtë. Si në rastin kur kandidati nuk është vlerësuar drejt, ashtu edhe në rastin kur konkurentët e tjerë janë vlerësuar me më shumë pikë, rezultati është që dikush fiton pushtetin gjyqësor pa të drejtë, dhe dikujt tjetri i mohohet ky pushtet pa të drejtë.

 

Së dyti, kandidatët nuk kanë të drejtë të ankohen askund. Ankimi lejohet vetëm kur është bërë ndonjë mbledhje aritmetike e gabuar e pikëve ose kur nuk është bërë mirë procedura, por në asnjë rast kur pyetjet janë vlerësuar gabim nga komisioni, qoftë edhe kur duke hapur, sic thotë populli “bën muuu” që vlerësimi është bërë gabim. Madje ka edhe raste kur vlerësimi bëhet me pikë sipas qejfit, në mënyrë tërësisht subjective dhe pa asnjë argument të vlefshëm. Nëse provon të pyesësh pse ndodh kjo, përgjigja që merr është se komisioni është i përbërë nga 5 profesionistë, të cilët zor se mund të gabojnë. Por a nuk gjykon me 5 gjyqtarët edhe Gjykata e Lartë? E pra shumë vendime të saj janë cilësuar të gabuara nga Gjykata Kushtetuese. Madje edhe kjo e fundit, megjithëse gjykon me 9 profesionistë super të përgatitur, përsëri ka raste kur Gjykata e Strasburgut e kap në gabim. Pra trupa me 5 profesionistë nuk është e pagabueshme, aq më tepër kur kontrollon 100 teza provimesh njëkohësisht. Përvec gabimit, nuk përjashtohet mundësia që vlerësimi i gabuar të jetë i qëllimshëm, cka e bën akoma më të domosdoshëm ankimin. Megjithatë askush nuk paska të drejtë të ankohet, sepse Rregullorja e Provimit nuk e parashikon një të drejtë të tillë…

 

Nëse vështrojmë mënyrë se si fitohet mandati i deputetit, bie në sy fakti që konkurentët kanë akses të plotë në dokumentacionin e votimit. Madje fletët e votimit numërohen në sy të të gjithëve. Gjithashtu palët kanë të drejtë të ankohen në KQZ e më pas edhe në Kolegjin Zgjedhor. Por kandidatët për magistratë nuk kanë të drejtë të kenë akses në provime, dhe as të ankohen për vendimet dhe vlerësimet e padrejta. Shkolla e Magjistraturës preferon të vendosë në formën më të prerë të mundshme.

 

3. I.H. është një kandidate e vitit të kaluar, e cila është një nga kandidatët që ka marrë guximin të padisë në gjykatë Shkollën e Magjistraturës për parregullsi në provim. Më 26 korrik të këtij viti gjykata e pranoi padinë. Pasi vendimi të marrë formë të prerë, I.H. do të futet me pahir në Shkollën e Magjistraturës dhe do të bëhet gjyqtare.

 

Mirëpo, duke lexuar në vendim, thuhet se kjo kandidate fillimisht është ankuar pranë Shkollës së Magjistraturës dhe më pas iu drejtua gjykatës. Duhet thënë se ankimi paraprak është i detyrueshëm dhe askush nuk mund të ankohet në gjykatë para se të konsumojë të drejtën e ankimit pranë vetë autoritetit administrativ (në këtë rast vetë Shkolla e Magjistraturës). Shumë i cuditshëm është fakti që ajo e ka bazuar ankimin tek Rregullorja. Them i cuditshëm, sepse nëse vështrojmë rregulloren nuk gjendet askund të përmendet e drejta e ankimit. Askund. Atëherë ku e gjeti gjykata dhe kandidatja paditëse këtë të drejtë? Arsyeja të shtyn të besosh që rregullorja e sivjetme mund të ketë ndryshuar. Në një intervistë të vitit të kaluar të Drejtoreshës së Shkollës së Magjistraturës dhënë në gazetën “Telegraf”, ajo përmend procedurën e ankimit dhe madje përmend edhe se ka pasur një rast ankimi. Në fakt, thuhet se rregullorja dikur e ka pasur të përfshirë të drejtën e ankimit, por më pas, me ndërrimin e drejtuesve, cuditërisht është shfuqizuar. Kjo gjë ka ndodhur pasi e drejta e ankimit u përdor nga kandidatët “non grata”, duke mbyllur rrugët që të aftët të kenë mundësi të rrëmbejnë pushtetin e gjyqtarit edhe kur Shkolla e Magjistraturës nuk dërishon t’ja japë.

 

* * *

 

Një proces jo transparent dhe pa të drejtë ankimi, bie ndesh me të gjithë parimet e një konkurimi të drejtë. Në cdo rast, në tendera, dhënie koncesionesh apo licensash, konkurentët kanë të drejtë të njihen me cdo dokument të paraqitur nga konkurentët apo ofertuesit e tjerë. Madje edhe për gjëra më pak të rëndësishme, sic bie fjala, në festivalin e këngës në RTSH, artistët kanë të drejtë të ankohen dhe të shohin procesverbalet  e votimit të jurisë. Ky rregull nuk mund të mungojë në shkollën më të rëndësishme të Republikën e Shqipërisë, që është ajo e magjistraturës, e cila sic e thashë nuk është shkollë por është burimi i vetëm dhe i padiskutueshëm i pushtetit gjyqësor të nesërm.

 

Dhe të mendosh që nga gjerat më të rëndësishme që gjyqtarët e rinj mësojnë në shkollë është se në bazë të nenit 10 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut cilitdo i njihet  e drejta për të pasur informacion në cdo dokument publik, dhe në bazë të nenit 13 të kësaj konvente cilitdo i duhet garantuar e drejta e ankimit efektiv. Megjithatë Shkolla e Magjistraturës thjesht i jep këto leksione në kuptimin teorik sepse vetë është bunker dhe ligji i vjen anash. Në këtë bunker gjyqtarëve të rinj u mësohen teoritë e bukura me temë nga shteti i së drejtës. Por magistratës e rinj që studiojnë në këtë bunker, me apo pa dashjen e tyre, kanë përfituar nga shkelja e të drejtave të dikujt tjetri, të cilit nuk i janë njohur e drejta e ankimit dhe ajo e informimit. Kësaj i thonë të fillosh karrierën e gjyqtarit nga bunkeri, me këmbën e keqe. Kjo dukuri nuk është gjë tjetër vecse gjeneza e një pushteti e nisur me hapin e keq, e cila sjellë më pas hyrjen në një valle nën tingujt e daulles së atij që të ka në dorë dhe që nuk cfarë ti bësh, ndërkohë që ata që mund ta meritojnë më shumë duhet të mos shohin, të mos ankohen e të mos flasin. Duhet të rrijnë Sus!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *