Nga rubrika “Konsultimi publik në rrugën drejt BE-së”
Në raportin e nëntorit 2026, Komisioni Europian evidenton se gazetarët në Shqipëri vazhdojnë të përballen me vonesa, refuzime dhe përgjigje të pjesshme për kërkesat e tyre për informacion. Në vitin 2025, gazetarët paraqitën 386 ankesa për refuzimin e informacionit dhe dokumenteve zyrtare. Në 311 raste, informacioni u dha gjatë shqyrtimit administrativ.
Megjithëse legjislacioni shqiptar është përgjithësisht në përputhje me standardet europiane, Komisioni kërkon përmirësime që informacioni t’u jepet gazetarëve në kohë. Sepse për gazetarin që heton një tender, një kontratë publike apo një investim të madh, dokumenti i marrë pas disa vitesh mund të ketë humbur vlerën për informimin e publikut.
Raporti i Komisionit Europian për vitin 2026
Qendra Res Publica i ka ngritur këto probleme prej vitesh dhe ka propozuar zgjidhje konkrete. Në konsultimet që i paraprinë ndryshimeve të ligjit në vitin 2023, bashkë me A.L.T.R.I. dhe C.L.E., propozuam që Komisioneri për të Drejtën e Informimit të merrte vendim për çdo ankesë dhe ta shqyrtonte dhënien e dokumentit veçmas nga procedura për vendosjen e gjobës.
Kështu, gazetari mund ta merrte dokumentin pa pritur përfundimin e hetimit se kush mbante përgjegjësi për refuzimin ose vonesën. Ligji parashikoi gjobë për moszbatimin e vendimit të Komisionerit, por dy propozimet tona për mënyrën e shqyrtimit të ankesave mbetën jashtë ndryshimeve.
Rekomandimet për ndryshimin e ligjit
Këto shqetësime i ngritëm sërish në tryezat e Platformës së Dialogut të Hapur për Lirinë e Shprehjes, të zhvilluar nga Këshilli i Europës në partneritet me Departamentin e Gazetarisë dhe Komunikimit të Universitetit të Tiranës. Aksesi në informacion ishte një nga temat e diskutimeve në seancën plenare të 30 qershorit 2025, të moderuar nga prof. Mark Marku.
Edhe Komisioni Europian, në raportin e vitit 2026, vlerëson dialogun e zhvilluar për reformën e medias, por thekson rëndësinë që rekomandimet e tij të pasqyrohen në ndryshimet ligjore. Kjo është pikërisht sfida e konsultimit publik: të mos mbetet te diskutimi, por të ndikojë në vendimmarrje.
Çfarë do të ndryshonte për gazetarin nëse Komisioneri do të merrte vendim për çdo ankesë? Nëse ankesa pranohet, institucioni ka një urdhër për ta dhënë dokumentin brenda afatit. Nëse ankesa rrëzohet, gazetari ka një vendim që mund ta kundërshtojë në gjykatë.
Një shembull është çështja e gazetarit investigativ Artan Rama, të cilit Tatimet refuzuan t’i jepnin një dokument për një tender publik. Ankesa te Komisioneri mori përgjigje me një shkresë nga një nëpunës. Me përfaqësimin e Res Publica-s, gazetarit iu desh të kalonte dy shkallë gjykimi që e drejta për të marrë dokumentin t’i njihej me vendim të formës së prerë.
Çështja e gazetarit Artan Rama
Për këto çështje, prej vitesh propozojmë gjykim të përshpejtuar dhe vendim përfundimtar në një shkallë, aty ku e lejon Kushtetuta. Kjo do të pakësonte çështjet që i shtohen stokut në apel dhe do t’i jepte gazetarit mundësinë ta merrte dokumentin ndërsa mund ta përdorë ende për raportim.
Raporti “E drejta e informimit 2022”, rekomandimi nr. 6 · Raporti “E drejta e informimit 2025”, rekomandimi nr. 7
Raporti i Komisionit Europian për vitin 2026 na rikthen te probleme për të cilat kemi propozuar zgjidhje prej vitesh. Dhe pasojat e rekomandimeve të lëna pa zgjidhje nuk mbeten në letër. Gazetari pret dokumentin, gjykatat shqyrtojnë çështje që mund të ishin zgjidhur më herët dhe publiku mund të mësojë si janë shpenzuar paratë e një tenderi vetëm pasi kontrata është zbatuar prej kohësh.
Integrimi europian është një mundësi për t’iu rikthyer këtyre rekomandimeve dhe për t’i kthyer në zgjidhje konkrete.
