Nga rubrika “Konsultimi publik në rrugën drejt BE-së”
Raporti i Komisionit Europian 2026: Çfarë propozuam, çfarë mbeti pa zgjidhur?
Paditë anti-SLAPP: Kur vetë gjyqi përdoret për të heshtur gazetarin.
Një gazetar publikon një investigim për një çështje me interes publik. Në vend që të marrë përgjigje për faktet që ka zbuluar, përballet me një padi për dëmshpërblim. Gjyqi mund të zgjasë me vite dhe t’i kushtojë kohë, para dhe energji, edhe nëse padia në fund rrëzohet.
Kjo është mënyra si funksionojnë paditë strategjike kundër pjesëmarrjes publike, të njohura si SLAPP. Problemi nuk është vetëm shuma e dëmshpërblimit që kërkohet, por edhe përdorimi i vetë procesit gjyqësor si mjet presioni.
Res Publica e ka dokumentuar këtë problem përmes monitorimit të proceseve gjyqësore për lirinë e shprehjes. Në studimin për periudhën 2022–2026, nga 333 vendime të analizuara, 171 përmbanin tregues të mundshëm të padive SLAPP, ndërsa 50 raste u klasifikuan me rrezik të lartë.
Në nëntor 2026, Komisioni Europian kërkoi përafrimin e legjislacionit shqiptar me standardet europiane anti-SLAPP. Tashmë është hapur konsultimi publik për një projektligj të posaçëm.
Është një zhvillim pozitiv, por projektligji ka ende nevojë për përmirësime.
Një nga propozimet tona është që, kur i padituri kërkon rrëzimin e hershëm të një padie dukshëm të pabazuar, gjykimi kryesor të pezullohet përkohësisht gjatë shqyrtimit të kësaj kërkese. Përndryshe, gazetari mund të vazhdojë të shpenzojë kohë dhe para për një proces që ndoshta nuk duhej të vazhdonte fare.
Po aq e rëndësishme është që mbrojtja të mos kufizohet në një mekanizëm formal, por të shoqërohet me garanci efektive kundër përdorimit abuziv të procesit gjyqësor.
Këtë herë kemi mundësinë që rekomandimet të ndikojnë te ligji përpara miratimit të tij. Studimet dhe përvoja e proceseve gjyqësore na tregojnë ku janë problemet. Direktiva europiane dhe standardet e Këshillit të Europës na japin një bazë për zgjidhjet.
Sepse një gazetar nuk duhet të fitojë një gjyq pas dhjetë vjetësh për të provuar se padia kundër tij ishte e pabazuar. Mbrojtja duhet të funksionojë përpara se procesi gjyqësor ta ketë arritur qëllimin e frikësimit.
Studimi dhe të dhënat e Res Publica-s për paditë SLAPP
