Nga rubrika “Konsultimi publik në rrugën drejt BE-së”
Raporti i Komisionit Europian 2026: Çfarë propozuam, çfarë mbeti pa zgjidhur?
Zonat e mbrojtura: Atë që kërkuam të diskutohej para votimit, sot po e kërkon integrimi europian.
Në nëntor 2026, Komisioni Europian konstatoi se ndryshimet e vitit 2024 në ligjin për zonat e mbrojtura, së bashku me zgjatjen e ligjit për investimet strategjike, kanë kontribuar në dobësimin e mbrojtjes së natyrës dhe janë ndër shkaqet e protestave që kanë nisur në Shqipëri prej majit të këtij viti.
Për zhvillimet në Pishë Poro–Nartë, Komisioni evidentoi shqetësime konkrete për miratimin e tri lejeve zhvillimore dhe kryerjen e punimeve përgatitore pa konsultim publik dhe pa vlerësim të ndikimit në mjedis në një zonë kandidate për rrjetin Emerald.
Dy vjet më parë, pikërisht për rrezikun që sillnin ndryshimet ligjore dhe mospërputhjen e tyre me standardet europiane, i kishim kërkuar Kuvendit të ndalej përpara se të votonte.
Raporti i Komisionit Europian për Shqipërinë, 2026
Problemi me konsultimin publik kishte nisur edhe më herët. Më 28 korrik 2021, Res Publica mori pjesë në takimet e organizuara nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura për rishikimin e kufijve të tyre.
Por Këshilli Kombëtar i Territorit ishte shprehur tashmë për hartën e re, ku parashikohej të hiqej nga zona e mbrojtur Vjosë–Nartë pikërisht sipërfaqja ku do të ndërtohej aeroporti i Vlorës.
Çfarë vlere kishte konsultimi publik, nëse harta mbi të cilën do të merrej vendimi ishte përcaktuar më parë?
Bashkë me organizatat mjedisore, kërkuam që procesi të ribëhej mbi bazën e studimeve dhe që propozimet e publikut të shqyrtoheshin përpara përcaktimit të kufijve të rinj.
Në shkurt 2024, kur Kuvendi po shqyrtonte ndryshimet e ligjit për zonat e mbrojtura, paralajmëruam sërish për pasojat. Projektligji zgjeronte mundësitë për ndërtime dhe zhvillime turistike brenda zonave të mbrojtura, duke ngritur probleme serioze për përputhshmërinë me direktivat europiane për mbrojtjen e natyrës.
Bashkë me AOS, EcoAlbania dhe organizata të tjera, kërkuam shtyrjen e votimit dhe shqyrtimin e projektligjit edhe nga Komisioni për Çështjet Europiane. Kërkuam që përputhshmëria me standardet europiane të vlerësohej përpara miratimit të ndryshimeve, jo pasi ato të kishin hyrë në fuqi.
Më 22 shkurt 2024, Kuvendi i miratoi ndryshimet.
Sot, dy vjet më vonë, përputhshmëria e këtyre dispozitave me legjislacionin europian është kthyer në një çështje të procesit të integrimit. Bashkimi Europian kërkon shfuqizimin e dispozitave të papajtueshme me standardet e mbrojtjes së natyrës.
[Shkresa e përbashkët drejtuar Kuvendit, 1 shkurt 2024]
Kundërshtimet nuk mbetën vetëm në shkresat e konsultimit publik. Si qendër ligjore, Res Publica iu bashkua organizatave mjedisore edhe në proceset gjyqësore. Bashkë me studion ligjore “Meçi”, përfaqësuam AOS dhe PPNEA në padinë kundër vendimeve që pakësuan sipërfaqen e zonës së mbrojtur për aeroportin e Vlorës.
Në Gjykatën Kushtetuese përfaqësuam AOS dhe EcoAlbania në kërkesën për shfuqizimin e ndryshimeve të vitit 2024. Gjykata e rrëzoi kërkesën.
Ndërkohë, në maj 2026, banorët e Zvërnecit dolën në protestë kundër punimeve për zhvillimin turistik në Pishë Poro–Nartë. Problemet e konsultimit dhe të mbrojtjes së natyrës, për të cilat kishim paralajmëruar prej vitesh, tashmë kishin dalë nga dokumentet e ekspertëve dhe ishin kthyer në një konflikt të hapur me komunitetin.
Dhe çfarë po ndodh sot në Kuvend?
Në shtator 2026, shqyrtimi i dy nismave për shfuqizimin e ndryshimeve të vitit 2024 u shty pa afat. Në nëntor, qeveria u shpreh kundër të dyja nismave, ndërkohë që përafrimi i legjislacionit për zonat e mbrojtura mbetet një detyrim i integrimit europian.
Zhvillimet në Kuvend, nëntor 2026
Këtu duket se çfarë pasoje ka një konsultim publik që nuk arrin të ndikojë te vendimmarrja. Shqetësimet që mund të ishin shqyrtuar përpara votimit u kthyen në procese gjyqësore, protesta të qytetarëve dhe probleme që sot duhet të zgjidhen në kuadër të integrimit europian.
Tani Kuvendi ka një mundësi tjetër për të hapur debatin, për të shqyrtuar rekomandimet dhe për të korrigjuar dispozitat që cenojnë mbrojtjen e natyrës.
Integrimi europian nuk mund të jetë vetëm një angazhim përpara Brukselit. Ai duhet të shihet edhe në mënyrën si institucionet dëgjojnë qytetarët dhe ekspertët e tyre, përpara se të marrin vendime që ndikojnë mbi të ardhmen e vendit.
Sa herë duhet të dalin qytetarët në protestë që Kuvendi të hapë një debat që duhej ta kishte bërë përpara votimit?
