Qendra Res Publica ka depozituar kallëzim penal pranë Prokurorisë së Tiranës lidhur me sjelljen e disa punonjësve të Policisë së Shtetit gjatë ngjarjeve të datës 1 shtator 2026.
Kallëzimi lidhet me një episod të dokumentuar qartësisht në një video të publikuar në rrjetet sociale. Në pamje shihet një qytetar që filmon me telefon momentin kur punonjësit e policisë po kapin një aktivist tjetër për ta shoqëruar ose arrestuar. Sapo një efektiv konstaton se qytetari po filmon ndërhyrjen policore, ai i afrohet, tenton t’i marrë telefonin nga dora dhe menjëherë nis ndërhyrjen fizike ndaj tij. Në vijim, disa punonjës të tjerë policie i bashkohen veprimit dhe qytetari privohet nga liria.
Res Publica vlerëson se një sjellje e tillë është e papranueshme në një shtet të së drejtës dhe ngre dyshime serioze për përgjegjësi penale. Filmimi i veprimtarisë së Policisë së Shtetit në një hapësirë publike, në veçanti gjatë ushtrimit të forcës apo privimit të një personi nga liria, nuk mund të përbëjë shkak për intimidim, marrje me forcë të telefonit apo arrestim.
Punonjësit e Policisë së Shtetit nuk janë jashtë kontrollit publik. Përkundrazi, për shkak të pushtetit që ushtrojnë mbi qytetarët, veprimet e tyre duhet t’i nënshtrohen një standardi edhe më të lartë ligjshmërie, proporcionaliteti dhe llogaridhënieje.
Ky kallëzim u paraqit veçmas, pasi në këtë rast ekziston një provë filmike e drejtpërdrejtë dhe e qartë, e publikuar në rrjetet sociale, e cila lejon të shihet kronologjia konkrete e ndërhyrjes policore dhe të ngrihen pyetje serioze mbi motivin real të privimit nga liria. Për më tepër, kjo çështje nuk lidhet vetëm me ushtrimin e lirisë së tubimit, por edhe drejtpërdrejt me lirinë e shprehjes dhe të drejtën për të marrë e përhapur informacion, pasi privimi nga liria duket se është shkaktuar nga filmimi i ndërhyrjes policore.
Ndërkohë, Res Publica po ndjek edhe zhvillimet lidhur me të gjithë protestuesit e arrestuar më 1 shtator 2026. Për këto raste, të cilat lidhen kryesisht me ushtrimin e lirisë së tubimit dhe ligjshmërinë e ndërhyrjes policore, do të vlerësohet paraqitja e një kallëzimi penal të veçantë pasi të zbardhen vendimet gjyqësore që shqyrtojnë ligjshmërinë e arrestimeve dhe, për një vlerësim të plotë juridik, këto vendime të kenë marrë formë të prerë.
Res Publica e konsideron të domosdoshme që praktika të tilla të dekurajohen qartë. Policia ka të drejtë dhe detyrë të ndërhyjë kur plotësohen kushtet e parashikuara nga ligji. Por uniforma nuk krijon imunitet për veprimet e paligjshme.
Kallëzimet penale nuk do të mungojnë ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit sa herë që provat tregojnë se ata kanë kapërcyer kompetencat e tyre dhe kanë cenuar në mënyrë të paligjshme liritë dhe të drejtat e qytetarëve.
Ngjarjet e 1 shtatorit duhet të shërbejnë si një vijë e qartë, ku respektimi i ligjit kërkohet njësoj si nga protestuesit, ashtu edhe nga ata që mbajnë uniformën e Policisë së Shtetit.
Ky kallëzim është paraqitur në kuadër të projektit për mbrojtjen e lirisë së shprehjes, të zbatuar nga Qendra Res Publica me mbështetjen financiare të National Endowment for Democracy (NED).


